Tiranë, 29 tetor, Zhurnal.mk – Shpenzimet për Infrastrukturën dhe Energjinë në vitin 2027 parashikohen në 75,4 miliardë lekë, të cilat përfaqësojnë 2,5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
Gjatë prezantimit të projektbuxhetit të vitit 2027 në Konferencën e Kryetarëve, ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se fondet do të mbështesin projekte infrastrukturore në transport, hekurudha, porte, si dhe në furnizimin me ujë të pijshëm dhe kanalizime.
“Shpenzimet për Infrastrukturën dhe Energjinë do të zënë 2,5% të PBB-së, me një fond total prej 75,4 miliardë lekësh”, u shpreh Malaj.
Ndër projektet e parashikuara janë investimet në rrjetet e ujësjellësit dhe kanalizimeve në bashkitë Mat, Memaliaj, Sarandë, Fier, Lezhë e Shkodër, si dhe në zonën e Velipojës.
Në plan është gjithashtu rikonstruksioni i linjave ekzistuese të ujësjellësit në Kukës dhe ndërtimi i një depozite uji në Tiranë.
Në fushën e transportit, projektet përfshijnë zhvillimin e Portit të ri të Durrësit në Porto Romano dhe të Portit të Triportit, si dhe investime në infrastrukturën hekurudhore.
Sipas planifikimit të prezantuar, ndër projektet hekurudhore janë linjat Tiranë-Durrës/Rinas, Vorë-Hani i Hotit dhe Durrës-Rrogozhinë.
Në infrastrukturën rrugore, fondet parashikohen të mbështesin projekte si aksi Elbasan-Lekaj, bypass-i i Elbasanit, rruga Elbasan-Qafë Thanë, zgjerimi i aksit Tiranë-Durrës, rruga Tiranë-Ndroq-Plepa dhe bypass-i i Tiranës.
