Editorial / Qeveria e kuptoi mesazhin e studentëve dhe u doli në ndihmë!

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 02 nëntor – Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka propozuar një rritje të subvencionit mujor për ushqimin e studentëve nga 3,500 në 4,500 denarë, me zbritje shtesë për blerjet e ushqimit. Paratë duhet të përdoren përmes aplikacionit shtetëror “m.Uslugi” në restorante, dyqane dhe pika të tjera pjesëmarrëse të shitjes, me monitorim dixhital të shpenzimit të dedikuar të fondeve. Qeveria gjithashtu do të negociojë me shitësit me pakicë në lidhje me zbritjet që do të zbatohen pasi studentët të kenë shpenzuar subvencionin. Oferta pritet të pranohet si lehtësim i madh për jetën e shtrenjtë studentore, shkruan “Zhurnal.mk”.

Studentët e pranojnë modelin e ri për ushqimet e subvencionuara

Studentët e pranojnë modelin e ri për ushqimet e subvencionuara, të propozuar nga Qeveria dhe Ministria e Arsimit, i cili do ta rritë shumën mujore nga 3.500 në 4.500 denarë.

Megjithatë, ata vendosën dy kushte – që zgjidhjet e dakordësuara të përfshihen në Ligjin për Ushqimet e Subvencionuara të Studentëve dhe që lista e kompanive dhe tregjeve të shpallet publikisht përpara se ligji të hyjë në fuqi.

Në deklaratë thuhet se vendimi u mor pas konsultimeve të gjera me studentët brenda formave të tyre organizative, pas një takimi në të cilin Kryeministri dhe Ministri i Arsimit ofruan një zgjidhje paketë për masën.

Modeli i propozuar parashikon futjen e një sistemi të ri të ushqimit për studentët, të quajtur “M Student Meal”, si dhe një rritje të fondeve totale mujore nga 3.500 në 4.500 denarë.

Përveç kësaj, do të publikohet publikisht një listë e operatorëve dhe tregjeve në të cilat studentët do të mund t’i përdorin fondet, ndërsa zbritjet do të vlejnë deri në fund të muajit, pavarësisht nëse studenti e ka shpenzuar të gjithë shumën prej 4.500 denarësh.

Studentët theksojnë se pranimi i modelit të propozuar është i kushtëzuar nga përfshirja e këtyre zgjidhjeve në ligj dhe publikimi në kohë i listës së kompanive dhe tregjeve, shkruan “Zhurnal.mk”.

Sa harxhon një student brenda një muaji!

Shpenzimet mujore të një studenti në Maqedoninë e Veriut sillen mesatarisht midis 10.000 dhe 25.000 denarë (rreth 160 deri në 400 euro) në muaj. Kjo shumë ndryshon në varësi të faktit nëse studenti jeton në qytetin e tij të lindjes, nëse merr banesë me qira, jeton në konvikt apo udhëton çdo ditë.

Qiraja e një garsoniere apo banese lëviz nga 200 – 400 euro. Për këtë arsye, shumë studentë bashkëjetojnë me cimerë, gjë që e ul koston për person në rreth 120 – 180 euro. Këtu shtohen edhe 2.000 deri në 3.000 denarë shtesë për faturat e rrymës, ngrohjes, internetit.
Studentët e universiteteve shtetërore në Shkup kanë transport publik falas me autobus, ndërsa për universitetet private, bileta mujore studentore kushton rreth 1.050 denarë. Studentët nga qytetet e tjera që kthehen në shtëpi për fundjavë përballen me kosto shtesë. Për bileta autobusi apo treni shpenzohen nga 2.000 deri në 5.000 denarë në muaj.
Për libra, fotokopje nevojiten mesatarisht rreth 2.000 denarë në muaj, ndërsa para xhepi për jetën sociale deri në 5.000 denarë.

4500 den ndihmojnë, por jo mjaftueshëm!

Subvencioni prej 4.500 denarë në muaj nga qeveria ndihmon ndjeshëm, por mbulon vetëm një pjesë të shpenzimeve bazë të një studenti. Kjo i bie që shteti ndanë 150 den në ditë. Me këto para një student mund të blejë një vakt të thjeshtë, ndërsa për studentët që jetojnë në konvikte shtetërore, ku akomodimi kushton rreth 3.400 deri në 3.800 denarë, ky subvencion praktikisht ua mbulon të gjithë koston e qëndrimit ose u siguron ushqim shtesë jashtë mensës.

Nëse studenti nuk gatuan vetë dhe ha jashtë, shpenzimet minimale për ushqim arrijnë në mbi 8.000 deri në 12.000 denarë në muaj. Propozimi i ri i qeverisë kërkon që këto para të shpenzohen vetëm për ushqim dhe vetëm përmes aplikacionit celular te tregtarët e licencuar. Kjo do të thotë që studentët nuk mund t’i tërheqin këto para në dorë për të paguar qiranë, faturat e rrymës apo librat.

Që kjo ndihmë të jetë në përputhje me koston e jetesës, kjo ndihmë do të duhej të ishte të paktën 6.000 deri në 6.500 denarë në muaj për të mbuluar minimumin jetik të ushqimit. Megjithatë, shuma prej 4500 denarëve, që është pranuar nga studentët, nëse llogaritet edhe premtimi i qeverisë se për studentët do të ketë 20% deri 25% zbrotje me tregtarët përmes aplikacionit të ri, vlera aktuale prej 4.500 denarësh do të arrijë fuqinë blerëse të rreth 5.600 denarëve, gjë që do t’i afrohej pragut minimal të nevojshëm.
Ky është një hap për t’u vlerësuar dhe çon drejt zbutjes së kërkesave të studentëve dhe premton se në të ardhmen do të ketë edhe rritje tjera të nevojshme, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura