Haziri: Për rastin e Arlinda Zekajt, përgjegjësia tashmë ka mbetur në kabinetin qeveritar

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 2 nëntor, Zhurnal.mk – Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, pas përfundimit të mbledhjes së Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka folur për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, duke e cilësuar si jashtëzakonisht të dhimbshme situatën dhe zhvillimet pas këtij rasti, raporton Ekonomia Online.

Haziri ka kritikuar mënyrën se si po trajtohet përgjegjësia institucionale, duke thënë se për dështimet e politikës po sakrifikohet Policia e Kosovës, e cila, sipas tij, ka kredibilitet dhe besueshmëri.

“Sa i përket zhvillimeve të brendshme, është jashtëzakonisht e dhimbshme ajo çka po ndodh. Përgjegjësia është e përshkallëzuar, sikurse është edhe veprimi politik. Tre drejtorë të policisë po marrin përgjegjësi publike dhe morale me e shpëtu politikën. Për dështimet e politikës sakrifikohet institucioni, e cila është policia që ka kredibilitet dhe besueshmëri. Ata kanë bërë suspendime, prokuroria, por përgjegjësia tashmë ka mbetur në kabinet qeveritar. Akti i dorëheqjes është moral”, ka deklaruar Haziri.

Pas kësaj, Haziri është deklaruar edhe për takimin e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, ku ishte i pranishëm ambasadori gjerman, Rainer Rudolph, duke vënë në pah rëndësinë e Gjermanisë për Kosovën dhe procesin e integrimit evropian.

Ai ka thënë se Gjermania, për shkak të peshës politike dhe rolit që ka në Evropë, mbetet një nga shtetet më të rëndësishme në rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse nga pesha, rëndësia dhe roli i shtetit gjerman, është lokomotiva e Evropës sot, i integrimeve evropiane. Për LDK-në nuk është vetëm aspiratë, është mision integrimi në BE dhe NATO, Gjermania ka një rol kritik”, ka thënë Haziri.

Duke folur për Këshillin e Evropës, Haziri ka shprehur shqetësimin për mosplotësimin e tri kushteve nga ana e Qeverisë së Kosovës, duke e cilësuar si të dhimbshme mosmiratimin e raportit të Asamblesë Parlamentare nga Këshilli i Ministrave.

“Në anën tjetër, Këshilli i Evropës mbetet në tre kushte që Qeveria nuk i ka plotësuar ende dhe për herë të parë ka ndodhur që Këshilli i Ministrave nuk e miraton raportin e Asamblesë Parlamentare, kjo është e dhimbshme”, ka deklaruar Haziri.

artikuj të ndërlidhura