Balla takon kreun e Dhomës së Deputetëve të Rumanisë: Anëtarësimi në BE, objektiv strategjik kombëtar

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 3 nëntor, Zhurnal.mk – Në kuadër të vizitës zyrtare në Bukuresht (Rumani), kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka zhvilluar një takim me kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Rumanisë dhe njëkohësisht presidentin e Partisë Socialdemokrate, Sorin Grindeanu.

Në fokus të bisedës ishte agjenda e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe rëndësia e ruajtjes së ritmit të negociatave, si dhe roli i parlamenteve në avancimin e reformave dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me acquis të BE-së.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla theksoi rëndësinë e mbështetjes së partnerëve evropianë në këtë proces historik, duke shprehur gjithashtu pritshmërinë që, pas përfundimit të negociatave, parlamenti rumun të ratifikojë sa më shpejt marrëveshjen e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Anëtarësimin në BE, Balla e cilësoi si një objektiv strategjik kombëtar, që kërkon angazhim të qëndrueshëm, përgjegjësi institucionale dhe bashkëpunim të ngushtë me partnerët evropianë.

Në këtë vizitë, Balla shoqërohet nga deputetët e Partisë Socialiste, Ermal Elezi dhe Loer Kume.

artikuj të ndërlidhura