Berisha: Të shtunën protesta e radhës kombëtare në mbështetje të studentëve

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 3 nëntor, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha bëri sot të ditur se ditën e shtunë, PD do të organizojë protestën e radhës, në mbështetje të revoltës së studentëve dhe gjimnazistëve.

Gjatë një konference për shtyp nga selia blu, Berisha u bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve shqiptarë që të marrin pjesë në protestë në orën 12:00.

Sipas tij, protesta e studentëve është shndërruar në një shpresë për shqiptarët dhe ka fituar mbështetje të gjerë brenda dhe jashtë vendit.

“Jam sot, para jush për të bërë thirrje demokrateve dhe demokratëve, qytetarëve të mbarë Shqipërisë, ditën e shtunë në ora 12:00, në protestën më të fuqishme që ka njohur vendi, në mbështetje të revoltës studentore.

Revolta studentore dhe e gjimnazistëve të Tiranës është shndërruar në shpresën e madhe të mbarë shqiptarëve. Ndaj dhe e shtuna është dita që fton çdo shqiptar të rreshtohet përkrah tyre, përkrah bijve dhe bijave të qytetarëve të këtij vendi, përkrah trimave, guximtarëve, që po bëjnë atë të cilën duhet ta bëjë çdo qytetar. Studentët, gjimnazistët, kanë fituar një simpati të jashtëzakonshme kombëtare dhe ndërkombëtare”, tha ai.

Kreu i PD-së u bëri thirrje qytetarëve të të gjitha bindjeve politike që të bashkohen në protestë, duke e cilësuar largimin e kryeministrit Edi Rama si objektivin e përbashkët të kësaj lëvizjeje.

artikuj të ndërlidhura