Berisha me përfaqësues të Fratelli d’Italia: Qeveria teknike, kusht për zgjedhje të lira

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 3 nëntor, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha priti sot një delegacion përfaqësuesish të partisë simotër italiane, Fratelli d’Italia (Vëllezërit e Italisë).

Në takim morën pjesë prof. dr. Ugo Falcone, koordinator i Observatorit Gjeopolitik të Bregdetit Adriatik, nënkryetar i Klubit UNESCO të Udines dhe anëtar i Asamblesë Kombëtare të Fratelli d’Italia; arkitekti Roberto Guggino, këshilltar bashkiak dhe kryetar i grupit të Fratelli d’Italia në bashkinë e Pradamanos (Udine), si dhe bashkëpunëtor i BLDing Studio Srl (Pordenone); dhe Albert Meçaj, këshilltar biznesi me përvojë ndërkombëtare dhe anëtar i Observatorit Gjeopolitik të Bregdetit Adriatik.

Sipas zyrës së shtypit të PD-së, gjatë takimit, Berisha i njohu të ftuarit me zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, duke u ndalur veçanërisht te protestat studentore, të cilat i cilësoi ndër më të fuqishmet në historinë e vendit. Ai theksoi se studentët janë ngritur kundër korrupsionit, narkoshtetit dhe shkatërrimit të procesit zgjedhor, duke kërkuar largimin e qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike për nxjerrjen e Shqipërisë nga kriza.

Berisha deklaroi se problemi më madhor i Shqipërisë, me pasoja shkatërrimtare për demokracinë, shtetin ligjor, shoqërinë dhe ekonominë, është narkoshteti.

Berisha theksoi se “euroja dhe dollari kanë pësuar në Shqipëri një zhvlerësim përkatësisht prej 32% dhe 35%, duke goditur rëndë eksportet dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare”.

Zyra e shtypit të PD njoftoi më tej se, duke iu referuar kushteve në të cilat u zhvilluan zgjedhjet e fundit parlamentare dhe gjetjeve të raporteve ndërkombëtare, Berisha tha se krijimi i një qeverie teknike është kusht i domosdoshëm për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri.

Berisha nënvizoi se rikthimi i votës së lirë, lufta kundër korrupsionit dhe çlirimi i institucioneve nga ndikimi i krimit të organizuar janë parakushte për rivendosjen e demokracisë dhe të perspektivës europiane të vendit.

artikuj të ndërlidhura