Tiranë, 3 nëntor, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria po punon intensivisht për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian brenda vitit 2027, në përputhje me kalendarin e përcaktuar në bashkëpunim me Komisionin Evropian.
I pranishëm në Samitin e Euronews për Zgjerimin, në një intervistë me Maria Tadeo mbi “rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian dhe sfidat e së ardhmes”, Rama theksoi se në marrëdhëniet me BE-në jo gjithmonë gjithçka është çështje afatesh. Sipas tij, për Shqipërinë rëndësi ka përfundimi i procesit të transformimit institucional në kuadër të integrimit evropian.
“Nuk jam kaq i ri në këtë detyrë dhe kam parë gjëra që nuk do t’i besonit. Unë shoh afate që janë fashitur rrugës. Kam parë sesi BE-ja nuk i ka realizuar premtimet e veta brenda afatit dhe kam parë sesi BE-ja mund të realizojë edhe më shumë dhe më shpejt nga sa pritet për të arritur rezultate të caktuara. Prandaj, nuk di të them për afatet. Ajo që është fakt është se ne po punojmë shumë fort me një plan të përbashkët, një plan të mbështetur plotësisht nga Komisioni Evropian, për t’i përmbyllur negociatat në fund të vitit 2027”, tha Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se, nëse procesi vijon me ritmin aktual, negociatat do të përmbyllen sipas kalendarit të përcaktuar. Megjithatë, ai nënvizoi se vendimmarrja për anëtarësimin përfundimtar varet nga dakordësia politike e 27 vendeve anëtare të BE-së.
“Nëse vijojmë kështu, do t’i përmbyllim negociatat sipas kalendarit të përcaktuar dhe kjo do të tregonte se ne e kemi bërë punën tonë. Por, kur vjen puna te pjesa politike, pra te 27 vendet që duhet të bien dakord, është si puna e asaj që kam thënë edhe më herët: janë 27 mjekë që duhet të bien dakord për një pacient”, u shpreh Rama.
I pyetur mbi gjetjet e Komisionit Evropian në progresraportin e publikuar prej tij, Rama tha se Shqipëria ka problematikat e veta, pasi në të kundërt nuk do të ishte në një proces negociatash dhe përmbushjeje të kushteve për anëtarësim.
“Nëse nuk do të kishim probleme, do të ishim si Zvicra, do të thoshim ndoshta se sivjet vijmë tek ju, por hajdeni ju tek ne. Por jemi në një fazë ku nuk jemi gati për të qenë anëtarë me të drejta të plota në BE. Megjithatë, duke qenë se ky është procesi më efikas dhe më transformues, ne duhet ta bëjmë këtë për hir të vetes sonë dhe të fëmijëve tanë. Ne kemi probleme dhe po punojmë për zgjidhjen e tyre”, vijoi Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se Shqipëria është me fat që e ka Bashkimin Evropian pranë, duke e cilësuar atë si një busull, horizont dhe burim përvoje e njohurish për të arritur standardet evropiane, një mundësi që, sipas tij, nuk e kanë të gjitha vendet me të njëjtën histori.
