Shkup, 3 nëntor, Zhurnal.mk – Gazetarja e Televizionit Alfa, e cila drejtoi emisionin “Nën Lupë” (“Pod Lupa”), ka vepruar në përputhje me standardet profesionale të gazetarisë, njoftoi sot Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (AVMU), e cila kreu mbikëqyrje të emisionit në të cilin Petar Bogojeski, kryetar i partisë “Koncepti Maqedonas”, deklaroi se grave u nevojitet “kontroll mashkullor”. Nga AVMU thonë se gazetarja ka parashtruar pyetje relevante, ka vënë në dyshim pretendimet e paraqitura dhe ka kërkuar sqarime shtesë për to.
“Agjencia thekson se çdo pjesëmarrës në debat publik, veçanërisht figurat publike, mban përgjegjësi personale për qëndrimet e shprehura publikisht dhe mesazhet që ua përcjell qytetarëve. Nga ana tjetër, roli i gazetarisë profesionale është të hapë çështje me interes publik, të mundësojë debat të argumentuar dhe të shqyrtojë në mënyrë kritike pretendimet e paraqitura, me qëllim që publiku të marrë informacione relevante dhe të formojë në mënyrë të pavarur mendimin e tij”, thuhet nga AVMU.
Njëkohësisht, Agjencia dënon qëndrimet e Petar Bogojeskit me të cilat relativizohet dhe arsyetohet dhuna ndaj grave dhe fëmijëve, promovohet pozita e tyre e nënshtruar dhe bëhet përpjekje që pikëpamje të tilla të paraqiten si vlera tradicionale.
“Mesazhe të tilla janë të papranueshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të respektimit të të drejtave të njeriut, barazisë dhe dinjitetit njerëzor. Dhuna, poshtërimi dhe pabarazia nuk janë vlera tradicionale dhe nuk mund të arsyetohen me asnjë pretekst. Veçanërisht është e papranueshme që dhuna fizike ndaj fëmijëve të paraqitet si mënyrë e pranueshme edukimi, apo dhuna ndaj grave si pjesë normale e marrëdhënieve familjare”, thuhet në reagimin e AVMU-së.
