Shkup, 4 nëntor, Zhurnal.mk – Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në konferencën e sotme për shtyp i bëri thirrje kryeministrit Mickoski dhe guvernatorit Slaveski që t’u përgjigjen disa pyetjeve kyçe në lidhje me lejen për hyrjen e Alta Bankës në Maqedoni dhe kontaktet me pronarin e bankës, Davor Macura. Filipçe theksoi se këto nuk janë detaje të parëndësishme, por çështje nga të cilat varet reputacioni dhe imazhi i shtetit në Evropë dhe në botë.
“Ende nuk ka përgjigje nga guvernatori, as nga kryeministri, pse nuk kanë kontrolluar se çfarë kapitali po hyn në vend? Pse nuk kanë kontrolluar çfarë reputacioni ka pronari i Alta Bankës, Davor Macura, i cili që nga dje ndodhet në paraburgim? A ka pasur transfere parash para blerjes së Alta Bankës? A u është sugjeruar ndërmarrjeve shtetërore dhe publike nga kryeministri që, menjëherë para ose pas këtij transaksioni, përpara se Alta Banka e Beogradit ta blejë Bankën e Manastirit, t’i transferojnë llogaritë e tyre në atë bankë?”, tha Filipçe.
Ai shtoi se Mickoski dhe Slaveski duhet të përgjigjen edhe nëse kanë zhvilluar takime me Macurën në Maqedoni.
“A ka pasur takime të guvernatorit Trajko Slaveski me Davor Macurën? A ka pasur takime mes guvernatorit dhe Davor Macurës, ku ka qenë i pranishëm edhe kryeministri Hristijan Mickoski? A ka ardhur Davor Macura këtu me avion privat të shtrenjtë për takime të tilla? Këto janë pyetje shumë të rëndësishme. Prej tyre varet edhe reputacioni i vendit dhe imazhi i Maqedonisë në Evropë dhe në botë”, tha Filipçe.
Kryetari i LSDM-së paralajmëroi se ekziston rreziku që Maqedonia, për shkak të politikave të pushtetit të Mickoskit, të shndërrohet në strehë për kapital të dyshimtë ruso-serb të lidhur me krimin, korrupsionin dhe kontrabandën e drogës.
“Është e mundur që, falë pushtetit të Hristijan Mickoskit, tani dhe në periudhën që pason të jemi bërë strehimi i vetëm dhe i fundit për kapital të dyshimtë ruso-serb, të lidhur me krimin, korrupsionin, kontrabandën e drogës e kështu me radhë. Dhe që në atë bankë të kenë llogari edhe funksionarë dhe zyrtarë të lartë qeveritarë dhe kjo të jetë një nga arsyet pse këto procese janë bërë me nxitim dhe në mënyrë të papërshtatshme, sepse nxitimi sjell gabime dhe këto gjëra tentohen të fshihen”, deklaroi Filipçe.
Ai porositi se pushteti nuk mund të shmangë përgjegjësinë për skandalin me Alta Bankën përmes propagandës dhe përpjekjeve për të devijuar vëmendjen.
“Përgjegjësinë e drejtpërdrejtë për atë që po ndodh e ka ai dhe grupi i tij kriminal përreth tij. Nuk mund të jetë dikush tjetër fajtor që Davor Macura, i cili tani është në paraburgim dhe që para disa ditësh ka tërhequr 400 milionë euro para të gatshme në Serbi, para që burojnë nga korrupsioni dhe krimi, është lejuar të vijë këtu dhe që të mos jepen përgjigje për pyetjet kyçe”, tha Filipçe.
Filipçe theksoi se skandali me Alta Bankën nuk është çështje që mund të mbyllet me arsyetime politike, por një rast serioz për të cilin duhet të ketë përgjegjësi para institucioneve kompetente.
“Sepse kjo nuk është shaka. Askush këtu nuk do të lejojë që ne të bëhemi një çerdhe kriminale për shkak të interesave personale financiare të kësaj bande në pushtet”, tha Filipçe.
