Prishtinë, 4 nëntor, Zhurnal.mk – Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka shpallur konkursin për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, pas dorëheqjes së Gazmend Hoxhës nga kjo detyrë, raporton Ekonomia Online.
Dorëheqja e Hoxhës erdhi pas rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt.
Sipas konkursit të publikuar nga MPB-ja, për këtë pozitë është paraparë një vend pune, me seli në Prishtinë dhe mandat pesëvjeçar, me mundësi vazhdimi edhe për pesë vjet të tjera.
Sipas njoftimit, drejtori i ri do të ketë përgjegjësinë për udhëheqjen, kontrollin dhe mbikëqyrjen e Policisë së Kosovës, si dhe për administrimin dhe menaxhimin e përgjithshëm të institucionit.
“Ndër detyrat kryesore të tij përfshihen edhe menaxhimi i buxhetit të Policisë, zbatimi i politikave të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe sigurimi që detyrat policore të ushtrohen në përputhje me ligjin, duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”, thuhet në njoftim.
Më 30 tetor, ish drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dha dorëheqje. Ushtrues detyre është caktuar Fehmi Hoti.
