Shkup, 5 nëntor, Zhurnal.mk – Prani e shtuar e forcave speciale policore është vërejtur mëngjesin e sotëm në rrugët e Kumanovës. Sipas informacioneve jozyrtare, bëhet fjalë për një aksion më të gjerë policor, në kuadër të të cilit Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pranë Byrosë për Siguri Publike po zbulon një grup të organizuar kriminal, të përbërë nga persona të njohur për skenën kriminale në Kumanovë.
Sipas dyshimeve të organeve hetuese, grupi ka vepruar për një periudhë të gjatë kohore në territorin e Kumanovës dhe më gjerë, duke përdorur dhunë, kërcënime dhe shantazhe. Aktivitetet e tij dyshohet se përfshijnë zhvatje, fajde, si dhe pastrim parash dhe të ardhurash të tjera nga veprat penale.
Sipas informacioneve jozyrtare, si organizator i grupit dyshohet një person me nofkën „Shtuka“, ndërsa pjesë e grupit janë edhe persona të tjerë nga Kumanova.
