Tiranë, 5 nëntor, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi sot në lidhje me progresraportin vjetor të Komisionit Evropian për Shqipërinë.
Gjatë një deklarate për mediat, Berisha e cilësoi raportin si të paprecedentë në historinë e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Ai u shpreh se, në krahasim me Malin e Zi, Shqipëria paraqitet si një vend me tipare të diktaturës autoritare.
“Ky është raport i paprecedent në historinë e raporteve midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Cili të dojë të krahasojë këtë raport me raportin e funksionimit të demokracisë, shtetit ligjor të Malit të Zi dhe do të gjejë se Shqipëria krahasuar me Malin e Zi është një diktaturë autoritare. Raporti vë gishtin në problemet më madhore të diktaturës autoritare në Shqipëri apo autokracisë elektorale të Edi Ramës”, tha ai.
Sipas Berishës, raporti evidenton një sërë problematikash në funksionimin e institucioneve dhe kërkon nga Shqipëria 115 ndryshime gjatë vitit të ardhshëm.
“Shqiptarët duhet ta dinë se Komisioni Evropian i kërkon Shqipërisë 115 ndryshime për vitin e ardhshëm, nga të cilat disa të karakterit më urgjent siç janë reforma zgjedhore, kthimi i kontrollit parlamentar mbi qeverinë dhe buxhetin, heqjen e përjashtimeve nga prokurimet publike dhe ndalimi i dëmtimit të zonave të mbrojtur”, tha Berisha.
Berisha deklaroi gjithashtu se raporti vë në pikëpyetje funksionimin e demokracisë, parlamentit dhe zgjedhjeve në Shqipëri. Sipas tij, ndër problematikat kryesore evidentohen polarizimi i thellë politik, kontrolli i kufizuar parlamentar mbi qeverinë dhe nevoja urgjente për reformën zgjedhore. Ai tha se raporti i KE-së konstaton se vendimet e Gjykatës Kushtetueses nuk zbatohen.
“Demokracia, parlamenti dhe zgjedhjet janë vënë në pikëpyetje, thotë raporti. Ky është funksionimi i tyre. Ndër të tjera për shkak të një mjedisi thellësisht të polarizuar, kontrollit të kufizuar parlamentar mbi ekzekutivin dhe nevojës urgjente për reformën zgjedhore. E konstatojnë se ai nuk do reformën. Dështimit të vazhdueshëm të parlamentit, dëgjojeni pak. Komisioni Evropian, për shkak të dështimit të vazhdueshëm të parlamentit për të zbatuar jo një, por disa vendime të Gjykatës Kushtetuese, nuk zbatohen. Kontrollit të kufizuar parlamentar mbi ekzekutivin”, tha ai.
