Rritet me 4,6 milionë lekë buxheti për KLP, Bogdani: Nevojiten fonde shtesë për blerjen e tre automjeteve

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 5 nëntor, Zhurnal.mk – Buxheti i Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vitin 2027 parashikon një fond të përgjithshëm prej 235,14 milionë lekësh, duke shënuar një rritje prej 4,64 milionë lekësh krahasuar me këtë vit.

Aktualisht për vitin 2026, KLP ka një buxhet prej 230,5 milionë lekë. Nga buxheti për vitin 2027, 232 milionë lekë janë shpenzime korrente dhe 2,5 milionë lekë janë investime me financim të brendshëm.

E ftuar në komisonin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, kryetarja e KLP-së Mirela Bogdani solli në vëmendje nevojat buxhetore të institucionit që drejton për vitin e ardhshëm.

Sipas saj, në këto fonde mbeten ende të pambuluara detyrimet ligjore dhe gjyqësore që ka institucioni për përmbushjen e cilave kërkohet mbështetje financiare shtesë.

Një prej këtyre zërave, sipas Bogdanit, është subvencionimin e interesave të kredive për magjistratët.

Bogdani kërkoi po ashtu një shtesë fondesh për blerjen e tre automjeteve të reja.

“Është kërkuar dhe një fond shtesë shumë modest për blerjen e një programi kontabiliteti, i cili deri tani nuk ka ekzistuar në zyrën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ndërkohë që rezulton që kërkesa për sistemin e menaxhimit financiar është reflektuar plotësisht, ndërsa financimi për rinovimin e flotës së automjeteve nuk është përfshirë”, u shpreh Bogdani.

Një tjetër kërkesë e paraqitur nga Bogdani në komsionin e Ligjeve ishte edhe shtimi i fondeve lidhur me digjitalizimin e brendshëm të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

“Jemi përpjekur që të hartojmë termat e referencës për një sistem të brendshëm të dokumentave. Ndoshta në një moment tjetër mund të vijmë me një produkt më të strukturuar dhe me fonde limit më të qarta për ta përmbushur këtë kërkesë”, shtoi ajo.

Sipas saj, digjitalizimi do të ndihmonte në rritjen e eficiencës të veprimtarisë së punës së KLP-së, por edhe në rritjen e numrit të vlerësimeve që është një nga kriteret kryesore për integrimin europian.

artikuj të ndërlidhura