Mbi 150 organizata evropiane janë bashkuar për të krijuar rrjete të reja sociale, si alternativa ndaj platformave të njohura si Facebook, Instagram dhe TikTok. Nisma, e mbështetur nga Komisioni Evropian, synon krijimin e platformave evropiane ku përdoruesit dhe komunitetet të kenë më shumë kontroll mbi përmbajtjen dhe të dhënat e tyre.
Projekti vjen në një kohë kur disa vende po shqyrtojnë ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale nga të miturit. Australia ka mbyllur rreth pesë milionë llogari të personave nën 16 vjeç, ndërsa Franca është përballur me pengesa ligjore për zbatimin e një ndalimi të ngjashëm.
Ndërkohë, Greqia planifikon të ndalojë përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç nga janari 2027, ndërsa Danimarka nga korriku i po atij viti. Edhe Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar po shqyrtojnë masa të ngjashme.
Komisioni Evropian ka propozuar gjithashtu ndalimin e hapjes së llogarive në rrjetet sociale për fëmijët nën 13 vjeç, ndërsa për moshat 13 dhe 14 vjeç do të lejohen vetëm llogari të kufizuara.
Propozimi synon edhe të kufizojë funksionet që nxisin përdorimin e tepruar të rrjeteve sociale, si videot që shfaqen pa ndërprerje dhe njoftimet e vazhdueshme. Platformat që shkelin rregullat mund të përballen me gjoba deri në 6 për qind të xhiros së tyre globale.
