Bruksel, 5 nëntor Zhurnal.mk – Çmimet e ushqimeve në Evropë kanë shënuar rritje të moderuar gjatë këtij viti, por produktet e freskëta po bëhen gjithnjë e më të shtrenjta, duke rënduar buxhetet familjare, sipas “Euronews”.
Sipas të dhënave të fundit të Eurostat-it, në tetor çmimet e ushqimeve të papërpunuara në Eurozonë u rritën me 4,6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, nga 2,7% që ishte rritja në gusht.
Në Francë, produktet e freskëta u shtrenjtuan me 8% në bazë vjetore, ndërsa në Itali rritja e çmimeve të ushqimeve të papërpunuara arriti në 7,5% gjatë tetorit, nga 5,5% në shtator.
Italia është ndër rastet më të dukshme të kësaj tendence. Situata u rëndua edhe nga bllokimi i rrugëve dhe porteve në jug të vendit për rreth dy javë, për shkak të protestave të shoferëve të kamionëve kundër kostos së lartë të naftës.
Ndërprerjet e furnizimeve shkaktuan boshatisjen e rafteve në disa dyqane në rajonet si, Kampania, Pulia dhe Kalabria, ku mungesat e produkteve përfshinë, mishin, qumështin e freskët, frutat dhe ujin e ambalazhuar.
Qiproja kryeson rritjen e çmimeve në BE
Të dhënat e shtatorit, të cilat përfshijnë të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, tregojnë se Qiproja regjistroi rritjen më të madhe të çmimeve të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, me 4% krahasuar me një vit më parë.
Pas saj renditen Spanja me 2,7%, Rumania me 2,6%, Malta me 2,5% dhe Portugalia me 2,4%.
Në të kundërt, në 14 nga 27 vendet e BE-së, çmimet e ushqimeve rezultuan më të ulëta se një vit më parë.
Rënia më e madhe u regjistrua në Suedi, me 6,3%. Kjo lidhet me përgjysmimin e TVSH-së për ushqimet, nga 12% në 6%, masë që hyri në fuqi më 1 prill dhe do të zbatohet deri në fund të vitit 2027.
Ulja të çmimeve u regjistruan gjithashtu në Letoni, Hungari dhe Çeki, ku rënia varioi nga 3,8% në 4,8%.
Ushqimet në BE janë shtrenjtuar me rreth një të tretën në pesë vjet
Megjithëse rritja aktuale është më e moderuar, çmimet e ushqimeve kanë pësuar një shtrenjtim të konsiderueshëm në vitet e fundit.
Krahasuar me shtatorin 2021, ushqimet në Bashkimin Evropian janë shtrenjtuar me rreth 33%.
Rritja më e madhe është regjistruar në Hungari, ku çmimet janë rritur me më shumë se 50%. Një shtrenjtim i ngjashëm, mbi 50%, është regjistruar edhe në Bullgari, Estoni dhe Rumani.
Në Luksemburg, Suedi dhe Francë, rritja gjatë kësaj periudhe ka qenë më e kufizuar, rreth 25%.
Sipas analizës, vendet e Evropës Lindore janë ndër më të prekura nga rritja afatgjatë e çmimeve, pasi ushqimet zënë një pjesë më të madhe të shpenzimeve familjare.
Rritja e kostove të energjisë ndikon edhe tek ushqimet
Inflacioni në Eurozonë arriti në 4% në tetor, nivelin më të lartë në më shumë se tre vjet, sipas të dhënave paraprake të Eurostat-it.
Nxitësi kryesor ishte energjia, çmimet e së cilës, përfshirë karburantet, energjinë elektrike dhe ngrohjen, u rritën me 20,8% krahasuar me një vit më parë.
Ndërkohë, ushqimet, pijet alkoolike dhe duhani u shtrenjtuan me 1,6%.
Rritja e kostove të energjisë ndikon drejtpërdrejt edhe në çmimet e produkteve ushqimore, pasi makineritë bujqësore përdorin naftë, serrat kanë nevojë për ngrohje dhe transporti i produkteve kërkon karburant.
Produktet e freskëta janë veçanërisht të ndjeshme ndaj këtyre kostove, pasi nuk mund të ruhen për periudha të gjata në magazina.
Ekonomistët parashikojnë që inflacioni të vijojë të rritet në muajt e ardhshëm.
Sipas parashikimeve të “Pantheon Macroeconomics”, inflacioni në Eurozonë mund të arrijë kulmin në 4,5% gjatë janarit, ndërsa pritet që Banka Qendrore Evropiane (BQE) të rrisë normat e interesit në dhjetor.
Rritja e çmimeve të ushqimeve pritet të ushtrojë presion të mëtejshëm mbi buxhetet familjare, veçanërisht gjatë muajve të dimrit, kur shtohen edhe shpenzimet për ngrohjen. /atsh
