Editorial / Inspektimi nëpër komuna – Jo vetëm lëvdata, por rezultate me fakte!

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 6 nëntor – Drejtuesit e VLEN-it kanë filluar një fushatë të vizitave të kryetarëve të komunave që drejtohen nga kjo parti. Së fundmi ata zhvilluan një vizitë zyrtare në Komunën e Bogovinës me rastin e njëvjetorit të marrjes së detyrës nga kryetari Feti Abazi. Gjatë takimit me përfaqësues të tjerë institucionalë u diskutuan investimet e realizuara, projektet aktuale dhe planifikimet për zhvillimin e mëtejmë të infrastrukturës dhe ekonomisë lokale. Vizita e kryesisë së VLEN-it mbi komunat e tyre nuk duhet të mbetet vetëm fjalë miradije, por çdo komunë të jetë transparente, dhe t’i publikojë sukseset, projektet e përfunduara në ubefaqen e tyre. Ndryshe, vlerësimet e kryesisë së VLEN-it mbi punën e komunave pa fakte, mbetet vetëm fjalë dhe asgjë më shumë, shkruan “Zhurnal.mk”.

Kryetarët e VLEN-it inspektojnë komunat që drejtohen nga kuadri i tyre

Vizita në Bogovinë është pjesë e një turi zyrtar inspektimeve dhe takimesh nëpër komunat që udhëhiqen nga kuadrot e VLEN-it, në kuadër të shënimit të njëvjetorit të marrjes së detyrës nga kryetarët e tyre lokal.

Deri tani, agjenda e vizitave të tyre zyrtare ka përfshirë ndalesat kryesore si në Komunën e Dibrës, ku vizituan kryetarin Fisnik Mela për të parë projektet konkrete të vitit të parë të mandatit.

Gjithashtu, gjatë kësaj jave u vizitua edhe Komuna e Bogovinës, ku u kontrolluan projektet e realizuara nga kryetari Feti Abazi.
Ky aksion në terren pritet të shtrihet edhe në komunat e tjera të fituara nga koalicioni VLEN siç janë Struga e Dollneni për të ndjekur nga afër ecurinë e investimeve kapitale, shkruan “Zhurnal.mk”.

Cilat projekte u përmendën se po realizohen!

Gjatë këtij turi takimesh dhe inspektimesh të koalicionit VLEN nëpër komuna, fokusi kryesor ka qenë llogaridhënia për vitin e parë të mandatit lokal përmes projekteve të infrastrukturës rrugore, rregullimit të ujërave dhe modernizimit urban.

Në vizitën e fundit tek kryetari i Bogovinës, u theksua realizimi i 8 projekteve me vlerë mbi 150 milionë denarë, ku u veçuan rruga e jurisë në Pirok, rruga lokale në Kallnik, mbrojtja nga përmbytjet në Pallçisht dhe rregullimi i ujërave në Pirok dhe Kamjan.

Gjatë ndalesës zyrtare tek kryetari i Dibrës, vëmendja u përqendrua te projektet për lehtësimin e komunikacionit dhe infrastrukturën publike, siç është parking i ri në qendër të qytetit, ku planifikohen një parkingu publik me kapacitet prej 250 vendesh, që është një investim prej rreth 350 mijë eurosh. Gjithashtu, u përmenden edhe plane konkrete për lidhjen më të mirë të vendbanimeve përreth dhe nxitjen e turizmit lokal.

Sa i përlet komunave Çairi dhe Tetovës, janë projektuar më parë rindërtimi i plotë i rrjetit të ujësjellësit, kanalizimit fekal dhe atij atmosferik në 16 rrugë të lagjes Dizhon, rruga “Ferid Murati”, si dhe pishina e re shkollore te shkolla “7 Marsi”. Në Tetovë, është bërë rikonstruksioni i plotë i rrugës “Shtipi”, përfshirë kanalizimin atmosferik, trotuaret dhe ndriçimin publik, si pjesë e paketës prej 29 projekteve infrastrukturore që po zbatohen në qytet.

Fokusi nuk duhet të mbahet vetëm në pushtetin qëndror!

Rezultati i zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në Komunën e Bërvenicës shërben si një mësim i qartë që nuk duhet të zhvendosen prioritete vetëm drejt konsolidimit të pushtetit qendror që në një farë forme e la pas dore terrenin dhe strukturat bazë lokale.

Rezultati në dëm të koalicionit qeverisës nuk erdhi si një fenomen i rastësishëm, por si pasojë direkte e mungesës së pranisë dhe angazhimit të vazhdueshëm në nivel komunal.

Pas formimit të qeverisë së re, figurat më me ndikim të koalicionit, përfshirë kryetarët e partive përbërëse, morën përsipër poste të rëndësishme ekzekutive si zëvendëskryeministra, ministra dhe drejtorë të institucioneve qendrore. Gjatë kësaj periudhe, energjia politike dhe burimet njerëzore u orientuan pothuajse tërësisht drejt ndarjes së dikastereve shtetërore dhe politikave të mëdha në kryeqytet, duke krijuar një vakum të madh llogaridhënieje dhe komunikimi në terren me qytetarët.

Kritikat nuk kanë munguar as nga partnerët e koalicionit qeveritar të cilët theksonin se kishte mungesë të një strategji të pavarur dhe të unifikuar në nivel lokal. Vetë fakti që menjëherë pas kësaj rezultateve në Bërvenicë, bashkëkryetarët e VLEN-it nisën një tur të shpejtë dhe intensiv takimesh e inspektimesh nëpër komunat e mbetura, si Bogovina dhe Dibra për të shënuar njëvjetorin e mandateve, dëshmon se udhëheqësia e kuptoi distancën që kishte krijuar me pushtetin lokal.

Ky rezultat në kutitë e votimit mbetet një mesazh politik që konfirmon se postet ministrore në Shkup nuk mund të zëvendësojnë punën e përditshme dhe zgjidhjen e problemeve konkrete të komunitetit në terren, shkruan “Zhurnal.mk”.

Kryetarët e VLEN-it mos të japin vetëm lëvdata!

Vizita e kryesisë së VLEN-it mbi komunat e tyre nuk duhet të mbetet vetëm fjalë miradije, por çdo komunë të jetë transparente, dhe t’i publikojë sukseset, projektet e përfunduara në ubefaqen e tyre. Ndryshe, vlerësimet e kryesisë së VLEN-it mbi punën e komunave pa fakte, mbetet vetëm fjalë dhe asgjë më shumë.

Prandaj, që vizitat e kryesisë së VLEN-it nëpër komuna të mos perceptohen thjesht si fushata PR-i apo “fjalë miradije”, transparenca radikale është hapi i vetëm që ndërton besueshmëri. Për t’iu përgjigjur kërkesës legjitime të qytetarëve për fakte dhe jo vetëm deklarata, komunat e udhëhequra nga VLEN duhet të aplikojnë një standard të ri të transparencës digjitale, ku çdo komunë duhet të ketë një rubrikë të veçantë në ueb-faqen zyrtare ku do të tregojë se çka ka punjuar.

Sukseset nuk maten me premtime, por me dëshmi, prandaj publikimi i fotove të rrugëve, rrjeteve të ujësjellësit apo shkollave para ndërhyrjes dhe pas përfundimit të punimeve eliminon hapësirën për dyshime.

Për çdo projekt të përmendur nga kryesia siç janë rrugët lokale në Bogovinë apo parkingu në Dibër, duhet të publikohet vlera e saktë e investimit, kompania realizuese, afati i përfundimit dhe burimi i financimit.

Kështu që pa këto të dhëna të faktuara dhe të publikuara zyrtarisht në faqet e tyre, lavdërimet e ndërsjellta mes kryetarëve të komunave dhe liderëve të partisë rrezikojnë të mbeten vetëm retorikë politike. Vetëm matshmëria e rezultateve bën dallimin mes një qeverisjeje të fokusuar te qytetari dhe asaj që merret vetëm me imazhin e vet politik, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura