Shkup, 6 nëntor, Zhurnal.mk – VMRO-DPMNE doli sot me një reagim në të cilin i bën thirrje Prokurorisë Themelore Publike të veprojë kundër funksionarëve të LSDM-së, të udhëhequr nga Venco Filipçe, duke i akuzuar për përhapje të qëllimshme të panikut dhe destabilizim të opinionit publik për përfitime të vogla politike.
Në një konferencë për shtyp, zëvendëssekretari i përgjithshëm i partisë dhe deputeti Brane Petrushevski deklaroi se opozita gjatë dy viteve të fundit ka krijuar histeri dhe mosbesim ndaj institucioneve.
“Udhëheqësit e LSD-së tashmë e kanë kaluar kufirin. E vetmja gjë që bëjnë gjatë këtyre dy viteve është përhapja e panikut mes qytetarëve, përpjekja për të krijuar mosbesim ndaj institucioneve, si dhe histeri dhe kaos në shoqëri. T’ia kujtojmë opinionit se për shkak të problemeve të brendshme në parti, Filipçe i gënjen qytetarët dhe përpiqet të krijojë perceptimin se gjërat nuk po shkojnë mirë”, theksoi Petrushevski.
Ai rikujtoi disa pretendime dhe informacione të mëparshme nga opozita, të cilat sipas strukturave në pushtet janë dëshmuar si të pavërteta, ndër to çështjet për migrantët, programin IPARD, raportin e eurodeputetit Thomas Waitz, pagesën e pensioneve dhe realizimin e kredisë hungareze.
“Përhapnin histeri për kredinë hungareze, me të cilën komunat merrnin para për shkolla të reja, kopshte, spitale, rrugë, ndërsa kompanitë kredi të buta për bizneset e tyre. Enti Shtetëror i Revizionit para një kohe doli qartë dhe konstatoi se nuk ka asnjë keqpërdorim me këtë kredi, ndërsa zyrtarë hungarezë e pranuan qartë se ne kemi marrë kredi me kushte tejet të favorshme”, theksoi ai.
Për shkak të këtyre veprimeve, nga VMRO-DPMNE vlerësojnë se ekzistojnë baza ligjore për veprim nga ana e organeve kompetente.
“Prandaj, një sjellje e tillë e funksionarëve të LSD-së është e dënueshme sipas nenit 315 të Kodit Penal, i quajtur sabotim, i cili parashikon të paktën 3 vjet burg për atë që me vetëdije shkakton dëm ndaj një personi juridik. E ftojmë Prokurorinë Publike të hapë rast sipas zërit publik dhe të reagojë”, porositi Petrushevski.
