Latifi në Zagreb: Interkoneksionet me Shqipërinë dhe Kosovën ndër prioritetet strategjike të MEPSO-s

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 6 nëntor, Zhurnal.mk – Drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi, mori pjesë në takimin ministror të CESEC-ut në Zagreb, së bashku me ministren e Energjetikës, Sanja Bozhinovska, ku temat kryesore ishin ndërlidhja rajonale energjetike dhe siguria e furnizimit me energji.

Latifi bëri të ditur se në takim janë prezantuar projektet strategjike të MEPSO-s për forcimin e rrjetit të transmetimit dhe rritjen e shkëmbimit të energjisë elektrike me vendet fqinje.

“Prezantuam projektet strategjike të MEPSO-s për forcimin e rrjetit të transmetimit dhe rritjen e shkëmbimit të energjisë elektrike me vendet fqinje”, theksoi Latifi.

Ndër prioritetet kryesore të kompanisë mbetet ndërtimi i interkoneksionit 400 kV Manastir – Ohër – Elbasan, si dhe lidhja e planifikuar Tetovë – Prizren, projekte që janë pjesë e zhvillimit të rrjetit 400 kV në pjesën perëndimore të vendit.

Sipas Latifit, këto investime do të mundësojnë rritjen e kapaciteteve ndërkufitare dhe një ndërlidhje më të sigurt energjetike me Shqipërinë dhe Kosovën.

Në kuadër të prezantimit u përfshi edhe investimi për vendosjen e një reaktori me kapacitet prej 150 MVAr në nënstacionin e Dubravës, i cili pritet të sigurojë kontroll më efikas të tensionit dhe stabilitet më të madh të sistemit elektroenergjetik.

Latifi veçoi gjithashtu rëndësinë e interkoneksionit të ri të planifikuar me Bullgarinë dhe zgjerimin e kapaciteteve të transmetimit drejt Greqisë, si pjesë e përpjekjeve për integrim më të madh rajonal të tregut energjetik.

“Për mua, këto investime nënkuptojnë përgjegjësi konkrete: të ndërtojmë një rrjet që do t’u përgjigjet nevojave të qytetarëve dhe ekonomisë dhe do të kontribuojë në furnizim më të sigurt me energji elektrike”, deklaroi Latifi.

Ai nënvizoi se synimi i MEPSO-s mbetet kalimi nga planifikimi në realizim, me fokus në projekte që do të forcojnë sigurinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

“Qëllimi ynë është i qartë: nga planifikimi drejt realizimit!”, përfundoi drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi.

artikuj të ndërlidhura