Toshkovski nga Budva: Maqedonia e Veriut nuk pret të bëhet anëtare e BE-së për të vepruar me përgjegjësi ndaj sigurisë evropiane

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 6 nëntor, Zhurnal.mk – Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, mori pjesë në Forumin Ministror BE – Ballkani Perëndimor për Drejtësi dhe Punë të Brendshme, i mbajtur më 5 dhe 6 nëntor në Budva të Malit të Zi, me pjesëmarrjen e ministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të institucioneve dhe agjencive evropiane.

Gjatë forumit, Toshkovski mbajti dy adressime të fokusuara në menaxhimin e migracionit dhe sigurinë kufitare, si dhe në luftën kundër formave moderne të kriminalitetit në epokën digjitale.

Duke folur për sfidat migratore, ai theksoi rolin strategjik të Maqedonisë së Veriut në korridorin ballkanik të migracionit dhe kontributin konkret të policisë maqedonase në mbrojtjen e sigurisë evropiane.

“Maqedonia e Veriut nuk pret të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian për të vepruar me përgjegjësi ndaj sigurisë evropiane. Ne tashmë e marrim këtë përgjegjësi. E marrim përmes policisë sonë kufitare, përmes operacioneve të përbashkëta me Frontex, përmes luftës kundër rrjeteve të kontrabandës dhe përmes harmonizimit konkret me politikat evropiane”, theksoi Toshkovski.

Ai bëri të ditur se në dhjetë muajt e parë të vitit 2026 është regjistruar një rritje prej 29 për qind e tentativave për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror krahasuar me vitin paraprak. Në të njëjtën periudhë janë zbuluar 23 raste të kontrabandimit të 144 migrantëve, ndërsa masa të ndjekjes penale janë ndërmarrë ndaj 38 personave.

Vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit me Frontex, operacioni i përbashkët i të cilit me policinë maqedonase, i nisur në kufirin jugor në vitin 2023, u zgjerua në muajin gusht edhe në kufirin verior, ndërsa po zhvillohen përgatitjet për zgjerimin e tij edhe në kufirin perëndimor.

“Bashkëpunimi i suksesshëm me Frontex tregon se Maqedonia ka kapacitet dhe vullnet politik për të marrë përgjegjësi. Por njëkohësisht tregon se investimi në kapacitetet tona kufitare është investim i drejtpërdrejtë në sigurinë e përbashkët evropiane”, tha ministri, duke theksuar nevojën për mbështetje të mëtejshme teknike, kadrovike dhe financiare nga Bashkimi Evropian.

Në fjalimin e tij, Toshkovski u ndal edhe te progresi në harmonizimin me politikat evropiane për migracion dhe azil, veçanërisht në fushën e politikës së vizave, ku vendi ka arritur pothuajse harmonizim të plotë me listën evropiane të shteteve qytetarët e të cilave i nënshtrohen regjimit të vizave.

Në adresimin e dytë, kushtuar kriminalitetit në epokën digjitale, ministri paralajmëroi për sfidat në rritje që lidhen me krimin kibernetik, mashtrimet online, keqpërdorimin e kriptovalutave dhe inteligjencës artificiale për qëllime kriminale.

“Kriminaliteti tashmë funksionon pa kufij. Përgjigjja jonë duhet të jetë po aq e lidhur, e shpejtë dhe efektive”, deklaroi Toshkovski.

Ai veçoi edhe themelimin e Departamentit të ri të specializuar për hetimin e abuzimit të fëmijëve në internet dhe hetimet nga burime të hapura në kuadër të MPB-së, me kompetencë në nivel kombëtar, duke e cilësuar atë si hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi seksual në hapësirën digjitale.

Ministri bëri thirrje për integrim më të fuqishëm operacional të vendeve të Ballkanit Perëndimor në mekanizmat evropianë të luftës kundër krimit, shkëmbim më të shpejtë të informacioneve dhe provave elektronike, si dhe investime më të mëdha në forenzikën digjitale, mjetet e avancuara analitike dhe përdorimin e përgjegjshëm të inteligjencës artificiale në punën policore.

“Suksesi ynë i përbashkët nuk duhet të matet vetëm me numrin e projekteve apo trajnimeve të realizuara, por me numrin e viktimave të mbrojtura, hetimeve të përbashkëta të realizuara me sukses, rrjeteve kriminale të shkatërruara, provave elektronike të siguruara me kohë dhe pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme që është konfiskuar”, theksoi Toshkovski.

Në margjinat e forumit, ministri zhvilloi edhe një takim bilateral me Nina Gregory, drejtoreshë ekzekutive e Agjencisë së Bashkimit Evropian për Azil (EUAA).

Gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe agjencisë, mundësitë për thellimin e mëtejshëm të tij, si dhe mbështetjen në procesin e harmonizimit të legjislacionit kombëtar dhe praktikave institucionale me standardet evropiane në fushën e azilit dhe mbrojtjes ndërkombëtare.

Theks i veçantë iu kushtua forcimit të kapaciteteve administrative dhe operative, shkëmbimit të ekspertizës dhe vazhdimit të aktiviteteve të përbashkëta për krijimin e një sistemi më efikas dhe funksional të azilit.

Pjesëmarrja e Toshkovskit në forumin e Budvës u vlerësua si mundësi për prezantimin e rezultateve të policisë maqedonase, avancimin e bashkëpunimit me institucionet evropiane dhe konfirmimin e rolit të Maqedonisë së Veriut si partner aktiv në përballjen me sfidat e përbashkëta të sigurisë.

artikuj të ndërlidhura