Tiranë, 6 nëntor, Zhurnal.mk – Ambasadorja e Holandës në vendin tonë Marleen Monster, deklaroi sot se protestat e zhvilluara në vend tregojnë pakënaqësinë dhe tensionin në shoqëri, ndërsa dënoi episodet e dhunës që i kanë shoqëruar ato.
Gjatë një vizite në Korçë, ku zhvilloi një takim me përfaqësues të organeve ligjzbatuese, me fokus lirinë e medias, Monster u shpreh se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë, por dhuna është e papranueshme.
“Protesta tregoi se në shoqëri ka mjaft tension dhe se njerëzit janë të pakënaqur, përndryshe nuk do të kishin dalë në rrugë. Dhuna ishte diçka që na tronditi. Protesta është një gjë e mirë, por dhuna është diçka që nuk do të donim ta shihnim”, deklaroi ambasadorja.
Monster komentoi edhe raportin e progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë, duke vlerësuar përparimin e bërë, por theksoi se mbeten fusha ku nevojiten përpjekje të mëtejshme.
“Nga raporti i progresit mund të shihet se Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm, por, natyrisht, ka ende çështje që kërkojnë më shumë punë”, tha ajo.
Ambasadorja nënvizoi mbështetjen e Holandës për integrimin europian të Shqipërisë, duke theksuar se angazhimet për anëtarësimin në BE duhet të shoqërohen me rezultate konkrete.
Sipas saj, një nga fushat ku Shqipëria duhet të vijojë përmirësimet është sundimi i ligjit.
“Siç ndoshta e dini, Holanda është thellësisht e përkushtuar për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Qasja jonë është e rreptë, e drejtë dhe aktive. Ne angazhohemi që angazhimet të mos mbeten vetëm në letër, por të përkthehen në veprime konkrete në terren; dhe ne përpiqemi të kontribuojmë në këtë drejtim me mjetet që kemi në dispozicion. Një fushë ku Shqipëria mund të përmirësohet është ajo e sundimit të ligjit”, u shpreh Monster.
Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e vijimit të zbatimit të reformës në drejtësi dhe të përmbushjes së angazhimeve të ndërmarra.
“Mendoj se duhet të vazhdojnë në rrugën që kanë nisur. Është e nevojshme të zbatohet reforma në drejtësi, e cila ka filluar tashmë, do të ishte shumë mirë nëse kjo reformë do të vijonte të zbatohej më tej, së bashku me të gjitha rregullat dhe angazhimet e reja që janë marrë përsipër”, përfundoi ambasadorja.
