Tiranë, 6 nëntor, Zhurnal.mk – Gjykata Kushtetuese po merr masat për mbrojtjen nga zjarri dhe vjedhjet. Pas protestave të dhunshme në Tiranë, Kushtetuesja ka rishpallur procedurën e tenderit në vlerë mbi një milion e gjashtëqind lekë pa TVSH, me kohë për dorëzimin e aplikimeve deri në 13 nëntor për vendosjen e një sistemi alarmi kundër zjarrit.
Sistemi i teknologjisë wireless pa kabllo është zgjedhur sipas dokumentacionit në tender për shkak se ndërhyrjet me shtrirje rrjetesh kabllor do të dëmtonin strukturën dhe estetikën e brendshme. Në specifikimet teknike kërkohet që të gjitha pajisjet dhe pjesët e këmbimit të jenë të reja dhe konform standardeve të Bashkimit Europian.
Sistemi i propozuar përbëhet nga 41 detektorë adresues wireless. Detektorët multisensorë janë parashikuar në ambientet me rëndësi të veçantë operacionale dhe institucionale, si arkiva, Salla e Gjykimit apo Zyra e Kryetarit, për zbulimin e hershëm të zjarrit. Një nga kriteret e prokurimit të Gjykatës Kushtetuese lidhet edhe me trajnimin e personelit se si të veprojë në raste alarmi.
