Mexhiti: Kujtimi për viktimat e 6 Nëntorit na obligon të mbrojmë dhe avancojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 6 nëntor, Zhurnal.mk – Me rastin e 34-vjetorit të ngjarjeve të 6 Nëntorit në Bit Pazar, kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, së bashku me përfaqësues të komunës, vendosi kurora me lule në nderim të katër viktimave që humbën jetën gjatë protestave të vitit 1992.

Mexhiti rikujtoi se më 6 nëntor 1992, në Bit Pazar, katër persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën gjatë protestave në të cilat policia përdori forcë të tepruar, duke e cilësuar atë ditë si një pikë kthese në angazhimin qytetar të shqiptarëve për barazi dhe respektimin e të drejtave të tyre.

“Sot, 34 vjet më pas, në emër të Komunës së Çairit, vendosëm kurora me lule në nderim të katër viktimave. Në këtë përvjetor, jemi pranë familjeve që humbën të dashurit e tyre dhe qytetarëve që i mbijetuan dhunës së asaj dite”, theksoi Mexhiti.

Ai vlerësoi se breza të tërë kanë këmbëngulur që të drejtat e shqiptarëve të njihen dhe të respektohen, ndërsa përgjegjësia e institucioneve sot është mbrojtja dhe avancimi i këtyre të drejtave.

“Përgjegjësia jonë sot është t’i mbrojmë dhe t’i avancojmë këto të drejta, duke u angazhuar me të njëjtën këmbëngulje për të drejtat e çdo komuniteti. Të gjitha komunitetet meritojnë që të drejtat e tyre të respektohen dhe të garantohen në mënyrë të barabartë”, u shpreh ai.

Sipas Mexhitit, barazia nuk duhet të mbetet vetëm një parim i deklaruar, por të reflektohet çdo ditë në mënyrën se si institucionet i trajtojnë, i mbrojnë dhe u shërbejnë qytetarëve.

Në fund të mesazhit të tij përkujtimor, kryetari i Çairit nderoi kujtimin e viktimave të 6 Nëntorit, duke theksuar se sakrifica e tyre mbetet pjesë e rëndësishme e kujtesës kolektive dhe e rrugëtimit për të drejta dhe barazi.

“I përjetshëm qoftë kujtimi i viktimave të 6 Nëntorit”, theksoi Mexhiti.

artikuj të ndërlidhura