Rritet numri i të prekurve nga gripi, Tetova kryeson me 48 raste brenda një jave

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Tetovë, 6 nëntor Zhurnal.mk – Në Maqedoninë e Veriut, gjatë javës së kaluar janë regjistruar 116 persona të prekur nga gripi dhe sëmundjet e ngjashme me gripin, që paraqet rritje prej 90,2 për qind krahasuar me javën paraprake, kur ishin raportuar 61 raste. Edhe pse numri i të prekurve është në rritje, vendi ende nuk e ka arritur pragun epidemiologjik për fillimin zyrtar të sezonit të gripit.

Sipas raportit më të ri të Institutit të Shëndetit Publik, të dhënat i referohen periudhës nga 26 tetori deri më 1 nëntor. Numri më i madh i të prekurve është regjistruar në Tetovë, me 48 persona, pasuar nga Kumanova me 26 dhe Shkupi me 13 raste. Në Prilep dhe Gostivar janë raportuar nga shtatë të prekur.

Pjesa më e madhe e pacientëve i përket grupmoshës nga 15 deri në 64 vjeç, gjithsej 84 persona. Ndërkohë, 25 të prekur janë mbi 65 vjeç, ndërsa shtatë janë fëmijë të moshës 5 deri në 14 vjeç.

Që nga fillimi i sezonit 2026/2027, gjithsej janë raportuar 343 persona të prekur nga gripi dhe sëmundjet e ngjashme me gripin. Ky numër është pothuajse i njëjtë me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur ishin regjistruar 338 raste, por është për 15,1 për qind më i lartë se mesatarja për të njëjtën periudhë gjatë 16 sezoneve të fundit.

Edhe në statistikat e përgjithshme, Tetova prin me 127 persona të prekur. Numri më i madh i rasteve është regjistruar te personat e moshës 15 deri në 64 vjeç, të cilët përbëjnë 74,3 për qind të të gjithë të prekurve.

Analizat laboratorike të 47 mostrave të marra gjatë javës së kaluar kanë konfirmuar praninë e virusit të gripit te katër persona. Te tre prej tyre është zbuluar virusi i influencës A, pa përcaktim të nëntipit, ndërsa te një person është konfirmuar tipi A(H1)pdm09. Gjithashtu, është regjistruar edhe një test pozitiv për COVID-19.

Nga Instituti i Shëndetit Publik vlerësojnë se aktiviteti i gripit ende është në nivelin karakteristik për periudhën ndërmjet dy sezoneve, ndërsa shkalla e rezultateve pozitive në testet laboratorike është 6,7 për qind.

Ndërkohë, vazhdon edhe vaksinimi kundër gripit sezonal. Procesi ka filluar më 21 tetor dhe, sipas të dhënave të Drejtorisë për Shëndetësi Elektronike, deri në përfundimin e raportit janë vaksinuar 11.629 persona nga kategoritë e rrezikuara me vaksina falas.

Ministria e Shëndetësisë informon se çdo ditë vaksinohen rreth 1.700 persona, ndërsa mbi 70 mijë qytetarë janë paraqitur për vaksinim. Deri në fund të muajit, numri i vaksinave të siguruara pritet të arrijë në 86 mijë.

Vaksinimi rekomandohet veçanërisht për personat mbi 65 vjeç, fëmijët nga gjashtë muaj deri në pesë vjeç, personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe punonjësit shëndetësorë.

Nga Instituti rikujtojnë se për mbrojtjen nga infeksionet respiratore është e rëndësishme larja e rregullt e duarve, ajrosja e ambienteve dhe shmangia e kontaktit të afërt me personat që kanë simptoma.

Personave që preken nga gripi u rekomandohet të qëndrojnë në shtëpi, të pushojnë dhe të shmangin kontaktet me njerëzit e tjerë, në mënyrë që të mos përhapin virusin.

artikuj të ndërlidhura