Shkup, 6 nëntor Zhurnal.mk – Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova priti shefin e Delegacionit të Bashkimit Evropian, ambasadorin Mihalis Rokas, i cili i dorëzoi Raportin e Komisionit Evropian për progresin e vendit për vitin 2026.
Bashkëbiseduesit u pajtuan se janë arritur rezultate konkrete dhe të dukshme. Të dy përshëndetën faktin që vendi është vlerësuar si një nga më të suksesshmit në përmbushjen e Agjendës së Reformave dhe Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, thuhet në njoftimin e Kabinetit të Presidentes.
Ambasadori Rokas vuri në dukje dobësitë e identifikuara dhe nevojën për përshpejtimin e reformave në fushën e sundimit të ligjit, sistemit gjyqësor dhe luftës kundër korrupsionit.
Sipas Siljanovska-Davkovës, niveli i rritur i gatishmërisë në kapitujt 10 (Transformimi digjital dhe mediat) dhe 26 (Arsimi dhe kultura), si dhe përparimi i evidentuar në shkencë dhe kërkime shkencore, politikën e përbashkët të jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes, dëshmojnë për kapacitetin institucional të vendit në përmbushjen e standardeve evropiane.
Ajo pret që finalizimi i udhërrëfyesve për sundimin e ligjit dhe reformën e administratës publike, si dhe i Planit të Veprimit për mbrojtjen e pakicave, të sjellin ndryshime dhe përparim të dukshëm në Klasterin “Themeloret”.
Në kuadër të kompetencave të saj kushtetuese, Siljanovska-Davkova theksoi se do të vazhdojë të veprojë në frymën e reformave, duke kontribuar në forcimin e demokracisë.
Presidentja rikujtoi se raporti duhet të paraqesë në mënyrë objektive zbatimin e kritereve të Kopenhagës dhe jo kushtet e imponuara politike dypalëshe, të cilat janë në kundërshtim me vlerat dhe parimet evropiane të përcaktuara në aktet kushtetuese evropiane.
Sipas saj, lënia jashtë grupit të vendeve që kryesojnë procesin e zgjerimit nuk e pasqyron realitetin dhe dërgon sinjale negative te opinioni publik në Maqedoni.
Siljanovska-Davkova përsëriti thirrjen për trajtim të barabartë të të gjitha vendeve kandidate në procesin e anëtarësimit. Sipas saj, nevojitet vullnet politik dhe angazhim më aktiv i institucioneve evropiane dhe vendeve anëtare për zhbllokimin e rrugës së Maqedonisë drejt Bashkimit Evropian, thuhet në njoftimin e Kabinetit të Presidentes.
