Shkup, 6 nëntor Zhurnal.mk – Në Maqedoninë e Veriut, 86.1 për qind e të rinjve deklarojnë se arrijnë të krijojnë një balancë të mirë mes punës, obligimeve familjare dhe atyre shoqërore. Këto janë të dhënat e analizës së Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).
Sipas të njëjtës analizë, 13.9 për qind e të rinjve në vend thonë se e kanë të vështirë të balancojnë punën me obligimet e tjera. Në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, gratë duket se arrijnë pak më lehtë se burrat të gjejnë këtë balancë, veçanërisht ato nën moshën 30-vjeçare.
Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se krijimi i një ekuilibri mes punës dhe jetës private nuk është gjithmonë i lehtë, pasi angazhimet profesionale shpesh marrin më shumë kohë sesa duhet.
“Realisht, në ditët e sotme nuk është edhe aq e lehtë të krijohet një balancë mes punës dhe jetës private, sepse puna mund të marrë shumë kohë. Sfidat me të cilat përballet secili janë të ndryshme. Varet nga lloji i punës që bën, pasi në vende të ndryshme të punës ka vështirësi të ndryshme. Njerëzit shpesh e bartin në shtëpi ngarkesën e punës, punojnë tepër ose jashtë orarit dhe nuk arrijnë t’u kushtojnë kohë fëmijëve.
Edhe nëse disa detyra nuk i përfundojnë në vendin e punës, duhet t’i kryejnë në shtëpi, duke ua marrë kohën që duhet ta kalojnë me fëmijët. Prindi detyrohet të kryejë obligime dhe të qëndrojë para laptopit, në vend që të dalë për shëtitje me fëmijën. Në rastet kur punohet nga shtëpia për kompani të huaja, dallimet në zonat kohore krijojnë presion dhe tension, duke shkaktuar ankth, pakënaqësi dhe rënie të motivimit”, deklaroi Vesna Ilova-Tasheva, terapiste neurofeedback-u.

Sipas psikoterapistes Cvetanka Petrovska-Todorovska, në krijimin e balancës mes punës dhe familjes ndikojnë edhe karakteristikat individuale të secilit person.
“Kjo varet nga individi, nga obligimet e punës dhe mendoj se secili mund të gjejë një balancë nëse dëshiron të organizohet. Ndikojnë edhe qëndrimet personale, edukimi dhe vetë individi. Faktor është, natyrisht, edhe shëndeti, ndërsa me kalimin e viteve secili përballet në mënyra të ndryshme me obligimet”, tha ajo.
Sa i përket vendeve të rajonit, të dhënat tregojnë dallime të konsiderueshme. Gjendja më e pafavorshme paraqitet në Serbi, ku 69.5 për qind e të rinjve arrijnë të balancojnë punën dhe obligimet familjare, ndërsa 30.5 për qind thonë se e kanë të vështirë këtë.
Në Mal të Zi, 70.3 për qind e të rinjve deklarojnë se arrijnë të krijojnë një balancë, ndërsa 29.7 për qind nuk ia dalin. Në Kosovë, 81.5 për qind thonë se mund t’i harmonizojnë obligimet e punës dhe familjes, kundrejt 18.5 për qind që kanë vështirësi.
Në Bosnjë e Hercegovinë, 77 për qind e të rinjve arrijnë të balancojnë punën dhe familjen, ndërsa 23 për qind nuk e kanë të lehtë. Në Shqipëri, kjo përqindje është 84.2 për qind, ndërsa 15.8 për qind deklarojnë se nuk arrijnë të krijojnë një ekuilibër të tillë.
Ndërkaq, mesatarja e Bashkimit Evropian tregon se 82.1 për qind e qytetarëve arrijnë të balancojnë jetën profesionale me atë private, ndërsa 17.9 për qind shprehen se kanë vështirësi në këtë drejtim.
