Agim Islami nuk kërkon ndihmë shëndetësore, por drejtësi dhe gjykim të paanshëm

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 6 nëntor Zhurnal.mk – Ramiz Dauti ka reaguar përmes një sqarimi publik lidhur me gjendjen shëndetësore të Agim Islamit, pas deklaratave të disa përfaqësuesve shtetërorë se do t’i ofrojnë ndihmë shëndetësore.

Dauti thekson se Agim Islami për momentin është në gjendje stabile shëndetësore dhe po i ndjek rekomandimet e mjekëve. Ai sqaron se familja kujdeset për gjendjen dhe nevojat e tij, duke shtuar se nuk kanë nevojë për ndihmë nga të tjerët.

“Ju falënderojmë për ndihmën dhe interesimin, por Agimi ka një familje të shëndoshë, e cila kujdeset për të dhe për nevojat e tij”, thuhet në reagimin e Dautit.

Sipas tij, ajo që Agim Islami kërkon nuk është ndihmë shëndetësore, por një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, pa ndikime politike.

“Agimi ka nevojë për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm politikisht. Ai kërkon drejtësi dhe asgjë tjetër”, thekson Dauti.

Ai kërkon që Qeveria të ndërhyjë përmes formimit të një komisioni që do të trajtonte rastet që, sipas tij, janë të montuara politikisht.

Dauti shpreh gjithashtu mosbesim ndaj sistemit gjyqësor, duke iu referuar nivelit prej 2 për qind të besueshmërisë që, sipas tij, ka ky sistem. Ai thotë se familja nuk mund të mjaftohet vetëm me deklaratat se gjyqësori është i pavarur, pasi pretendon se ka dëshmi për atë që ka ndodhur në raste të ndryshme dhe për epilogët e tyre.

Në fund, Dauti falënderon të gjithë njerëzit që, siç thotë ai, prej plot 18 vitesh i mbështesin në kërkimin e drejtësisë për Agim Islamin.

artikuj të ndërlidhura