Sa qytetar nga Maqedonia, Serbia, Bosnja punojnë në Kroaci?

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Zagreb, 6 nëntor Zhurnal.mk – Kroacia vazhdon të regjistrojë interesim të madh për punësimin e punëtorëve të huaj edhe gjatë vitit 2026, ndërsa numri më i madh i lejeve të qëndrimit dhe punës është lëshuar në sektorët që prej vitesh përballen me mungesë të fuqisë punëtore. Në krye janë turizmi, hoteleria dhe ndërtimtaria, ku nevoja për punëtorë është veçanërisht e madhe, sidomos para dhe gjatë sezonit turistik. Ndër punëtorët e huaj më të përfaqësuar vazhdojnë të jenë shtetasit e Bosnjë-Hercegovinës, Serbisë, Filipineve dhe Nepalit.

Sipas të dhënave për periudhën nga 1 janari deri më 30 shtator 2026, janë lëshuar gjithsej 124.023 leje qëndrimi dhe pune. Pothuajse 50 mijë leje kanë të bëjnë me vazhdimin e lejeve ekzistuese, ndërsa më shumë se 48 mijë janë lëshuar për punësime të reja. Gjithashtu, 25.371 leje janë lëshuar për punë sezonale, duke dëshmuar rolin e rëndësishëm të punëtorëve të huaj në funksionimin e bizneseve.

Numri më i madh i lejeve është lëshuar për punësim në turizëm dhe hoteleri, gjithsej 48.156, ndërsa në ndërtimtari janë lëshuar 32.701 leje. Pasojnë industria, transporti dhe komunikacioni, si dhe tregtia.

Sa u përket shtetasve të huaj, numri më i madh i punëtorëve vjen nga Bosnjë-Hercegovina, Serbia, Filipinet dhe Nepali. Një numër i konsiderueshëm vjen edhe nga Maqedonia e Veriut, India dhe Uzbekistani, shkruan Dnevno.hr.

Numri i lejeve të qëndrimit dhe punës të lëshuara deri më 30 shtator 2026, sipas shtetësisë:

– Bosnjë-Hercegovina – 22.565
– Serbia – 19.886
– Filipinet – 18.712
– Nepali – 17.386
– Maqedonia e Veriut – 10.459
– India – 7.734
– Uzbekistani – 5.562
– Kosova – 4.533
– Egjipti – 2.432
– Shqipëria – 2.118

artikuj të ndërlidhura