Prindërit e viktimave të “Puls” me përpjekje të re për zhbllokimin e Komisionit hetimor

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 7 nëntor Zhurnal.mk – A do të lëvizë më në fund nga pika e vdekur Komisioni i Përhershëm Hetimor për tragjedinë në Koçan? Edhe pas një viti e tetë muajsh nga zjarri katastrofik dhe gati një vit pas mbajtjes së debatit për tragjedinë, prindërit e fëmijëve që humbën jetën në diskotekën “Puls” kanë dorëzuar konkluzionet e tyre në Komisionin e Përhershëm për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Qytetarëve.

TV24 ka siguruar propozim-konkluzionet, të cilat tashmë i janë dorëzuar kryetarit të Komisionit të Përhershëm Hetimor, Dimitar Apasiev. Bëhet fjalë për 10 konkluzione, përmbajtjen e të cilave televizioni e publikon ekskluzivisht.

Në mesin e kërkesave të prindërve theksohet mesazhi: “Nuk kërkojmë drejtësi në rrugë, kërkojmë drejtësi në sallën e gjyqit, por nga Kuvendi kërkojmë përgjegjësi politike dhe institucionale”.

Prindërit kërkojnë që të përcaktohet nëse institucionet kompetente kanë qenë në dijeni për parregullsitë në objektin “Puls”, nëse ka pasur ndikime mbi kontrollet inspektuese dhe pse nuk janë marrë masa për ndalimin e punës, nëse kanë ekzistuar baza ligjore për një gjë të tillë.

Pyetja kryesore që shtrojnë ata është: A do të kishte funksionuar diskoteka “Puls” më 16 mars 2025, nëse institucionet kompetente do të kishin vepruar në kohë dhe në përputhje me ligjin?

Përveç përcaktimit të përgjegjësisë penale nga organet kompetente të drejtësisë, prindërit vlerësojnë se është e domosdoshme që Kuvendi të kontribuojë në përcaktimin e përgjegjësisë politike, institucionale dhe të bartësve të funksioneve publike, pa dallim të përkatësisë partiake apo periudhës kur kanë ushtruar funksionet.

Në këtë drejtim, kërkohet përgatitja e një kronologjie të plotë të lejeve të lëshuara, licencave, kontrolleve inspektuese dhe masave të ndërmarra ose të parealizuara.

Një tjetër kërkesë është identifikimi i institucioneve dhe zyrtarëve përgjegjës, me qëllim që të përcaktohet se kush ka pasur kompetenca, kush ka qenë në dijeni ose është dashur të jetë në dijeni dhe kush eventualisht nuk ka vepruar në përputhje me detyrimet ligjore.

Prindërit kërkojnë gjithashtu rishikim të plotë të veprimeve të organeve inspektuese dhe kontrolluese, si dhe të zyrtarëve policorë para dhe gjatë tragjedisë. Në mënyrë të veçantë, kërkohet të hetohen lëshimet në kontrollin e objektit, prania dhe veprimet e policisë, si dhe masat e ndërmarra për mbrojtjen dhe evakuimin e personave të pranishëm.

Ata theksojnë se të gjitha hetimet dhe procedurat gjyqësore duhet të zhvillohen në mënyrë të pavarur, të paanshme, të plotë dhe pa vonesa të pajustifikuara.

Përveç procedurave penale të pavarura dhe efikase, kërkesat e prindërve përfshijnë edhe ndryshime ligjore, forcimin e mekanizmave të kontrollit, ndihmë financiare njëherëshe dhe mbështetje afatgjatë për familjet e prekura, si dhe përcaktimin e masave konkrete, afateve dhe përgjegjësisë institucionale.

Në përfundim, Shoqata e Qytetarëve “16 Mars 2025 – Koçan” thekson se tragjedia nuk duhet të mbetet vetëm objekt i debateve politike dhe dënimeve deklarative. Prindërit nënvizojnë se nuk kërkojnë përplasje politike, por përcaktim të plotë dhe të pakushtëzuar të përgjegjësisë politike, institucionale dhe të bartësve të funksioneve publike.

Konkluzionet e dorëzuara nga shoqata pritet të shërbejnë si zgjidhje për zhbllokimin e punës së Komisionit Hetimor, i cili ka ngecur pasi anëtarët e tij nuk kanë arritur marrëveshje se cilat konkluzione duhet të miratohen.

Prindërit kërkojnë që drejtësia për Koçanin të mos përfundojë vetëm në letër.

artikuj të ndërlidhura