Mjekët edhe sot bëjnë thirrje për vaksinim më të madh

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 7 nëntor Zhurnal.mk – Pas pesë rasteve të konfirmuara me fruth në Maqedoninë e Veriut, është intensifikuar procesi i vaksinimit. Mjekët u bëjnë thirrje prindërve që nuk i kanë vaksinuar fëmijët me dozat e rregullta, që t’i plotësojnë ato, ndërsa nga pikat e vaksinimit bëjnë të ditur se interesimi është rritur dukshëm.

“Prindërit po tregojnë interes për t’i sjellë fëmijët, me shumë gjasë për shkak të rrezikut që paraqitet dhe që mund të vijë. Vaksinimi në ambulancën parashkollore bëhet përmes thirrjeve dhe njoftimeve telefonike, ndërsa në ambulancën shkollore përmes SMS-ve që u dërgohen shkollave, ku më pas fëmijët vijnë të organizuar së bashku me prindërit. Është e dukshme se vaksinimi dhe përgjigjja ndaj thirrjeve janë intensifikuar”, deklaroi doktoresha Sonja Raleva nga Shtëpia e Shëndetit në Shkup.

Megjithatë, nga Instituti i Shëndetit Publik paralajmërojnë se mbulimi me vaksinën MRP (fruth, rubeolë dhe shytat) vazhdon të jetë i pamjaftueshëm. Për shkak të rasteve të reja në vend dhe gjendjes së pafavorshme epidemiologjike në disa vende fqinje, ata apelojnë që të gjithë personat që nuk e kanë marrë vaksinën t’i plotësojnë dozat e humbura.

“Përqindja më e ulët e vaksinimit është në komunat qendrore, si Qendër, Karposh dhe Aerodrom, ndërsa komunat e tjera kanë përqindje më të lartë të vaksinimit”, theksoi Raleva.

Interesim i shtuar është vërejtur edhe për vaksinën kundër HPV-së. Maqedonia e Veriut është ndër vendet që e kanë zgjeruar imunizimin kundër këtij virusi, duke përfshirë jo vetëm vajzat, por edhe djemtë.

“Prej një viti e gjysmë, vaksina ofrohet edhe për fëmijët e gjinisë mashkullore dhe femërore. Bëhet fjalë për vaksinën nëntëvalente nga një prodhues farmaceutik me renome. Ka interesim që fëmijët të vijnë dhe ta marrin atë. Disa prindër, të cilët kanë kaluar nëpër përvoja të vështira emocionale lidhur me sëmundje të caktuara, ndërsa besoni se pothuajse çdo familje ka një histori të tillë, vijnë dhe e kërkojnë vetë vaksinën”, deklaroi Raleva.

Vaksina kundër HPV-së është pjesë e Kalendarit Kombëtar të Imunizimit dhe ofrohet falas për vajzat dhe djemtë. Ajo rekomandohet të merret para ekspozimit ndaj virusit, zakonisht në moshën e hershme të adoleshencës, me qëllim parandalimin e infeksioneve nga llojet e HPV-së që mund të shkaktojnë kancer të qafës së mitrës dhe sëmundje të tjera malinje.

artikuj të ndërlidhura