Shkup, 7 nëntor Zhurnal.mk – Ushtarët profesionistë kanë protestuar para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar zgjidhje urgjente për problemet me të cilat përballen prej vitesh. Ata thonë se durimi u ka sosur dhe se nuk mund të vazhdojnë më të heshtin përballë, siç e cilësojnë, trajtimit të padrejtë nga institucionet.
Kërkesa kryesore e protestuesve është zgjidhja ligjore dhe e përhershme e statusit të ushtarëve profesionistë, përfshirë edhe çështjen e atyre që kanë mbushur moshën 45-vjeçare. Në mesin e kërkesave janë edhe rritja e pagave për ushtarët profesionistë dhe kompensimi financiar për ish-pjesëtarët e Armatës.
Aleksandar Naskovski nga Sindikata e Pavarur e Ushtarëve Profesionistë deklaroi se kjo kategori punonjësish është e diskriminuar, pasi për ta nuk zbatohet dispozita e Ligjit për Marrëdhënie Pune, e cila parasheh transformimin e marrëdhënies së punës në kohë të pacaktuar pas pesë vitesh.
“Ushtarët profesionistë janë punëtorët më të diskriminuar në Republikën e Maqedonisë, për të cilët nuk vlen transformimi i marrëdhënies së punës në kohë të pacaktuar pas vitit të pestë, ashtu siç parasheh Ligji për Marrëdhënie Pune. Ky diskriminim është konfirmuar edhe nga Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili në korrik të vitit 2025 ka dhënë mendim se të gjithë ushtarët profesionistë diskriminohen për shkak të marrëdhënies së pabarabartë të punës”, deklaroi Naskovski.
Protesta mori mbështetje edhe nga Trupi Koordinues i ish-pjesëtarëve të pensionuar të Armatës, të cilët gjithashtu paraqitën kërkesat e tyre, duke rikujtuar premtimet e mëparshme të institucioneve që, sipas tyre, nuk janë realizuar.
Vidan Kiprijanovski nga Trupi Koordinues i ish-pjesëtarëve të pensionuar të Armatës kërkoi formimin e një komisioni të përbashkët qeveritar për zgjidhjen e çështjes së kompensimit financiar për ish-pjesëtarët.
“Duhet të formohet një komision i përbashkët nga Qeveria, ashtu siç premtoi ministri se personalisht do t’i drejtohet kryeministrit dhe do të kërkojë konsultime me të, në mënyrë që të zgjidhet ky problem. Bëhet fjalë për një pagesë të njëhershme për këta njerëz, si kompensim për 40 vitet e stazhit që ia kemi kushtuar këtij shteti dhe kontributit tonë në ndërtimin e tij”, deklaroi Kiprijanovski.
Ushtarët profesionistë paralajmëruan se, nëse autoritetet vazhdojnë të injorojnë kërkesat e tyre, protestat do të radikalizohen.
Protestuesit presin që partia në pushtet të propozojë zgjidhjen ligjore në Kuvend, duke pasur parasysh se koalicioni qeverisës ka shumicën parlamentare.
