Shkup, 7 nëntor Zhurnal.mk – Një 61-vjeçari të dyshuar për sulmin fizik ndaj biznesmenit maqedonas Zoran Azmanov i janë caktuar tri masa kujdesi, konfirmojnë nga Gjykata Themelore Penale. Gjykata ka pranuar propozimin për konfiskimin e dokumentit të udhëtimit, detyrimin për t’u paraqitur rregullisht pranë organit kompetent dhe ndalimin e afrimit ndaj të dëmtuarit.
Masat vijnë pas incidentit të ndodhur më 6 nëntor në Gjykatën Themelore Civile në Shkup, ku fizikisht ishte sulmuar Azmanov, drejtor dhe kryetar i Bordit Mbikëqyrës të kompanisë ndërtimore „Nastel“.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme më herët konfirmuan se sulmi ishte raportuar po atë ditë, në orën 09:47.
„Më 06.11.2026, në orën 09:47, në SPB Shkup është raportuar se në Gjykatën Themelore Civile, Z.A. (67) është sulmuar fizikisht nga Gj.S. (61). Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit“, njoftuan nga MPB-ja.
Sipas informacioneve jozyrtare, incidenti ka ndodhur gjatë një seance gjyqësore. Megjithatë, deri më tani nuk dihen arsyet që i kanë paraprirë sulmit, ndërsa nuk ka informacione të konfirmuara për shkallën e lëndimeve të mundshme të Azmanovit.
Me masat e shqiptuara, të dyshuarit i kufizohet mundësia e udhëtimit dhe afrimit ndaj të dëmtuarit, ndërsa njëkohësisht sigurohet prania e tij para organeve kompetente gjatë procedurës së mëtejshme.
