Në Shkup ka filluar aktiviteti i Ditëve të Kulturës dhe Mendimit Baglar, i organizuar nga Presidenca Turke për Turqit Jashtë Vendit dhe Komunitetet Mike (YTB) në kuadër të programit “Autobusi i Letërsisë në Ballkan”.
Në ceremoninë e hapjes, të mbajtur në një hotel në Shkup, morën pjesë ambasadori i Türkiyes në Shkup, Alper Aktas, zv/kryetari i YTB-së, Murat Kazanci, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke e vendore në vend, shkrimtarë, dashamirës të letërsisë dhe të ftuar të tjerë.
Ambasadori Aktas, në fjalën e tij, tha se duhet të kërkojnë përgjigjen e pyetjes se kush është letrari, duke shtuar se letrari është personi që troket në derë.
“Letrari ndonjëherë hip në një autobus dhe niset në një udhëtim. Ai përshkon të gjitha anët e gjeografisë sonë shpirtërore, por është personi që troket në derë. Hyn në shtëpi. Ndonjëherë shkruan një poezi, ndonjëherë bëhet autor apo redaktor i një botimi të një organizate të mendimit të quajtur Baglar ose poet që kontribuon në të. Ndonjëherë qëndron para nesh duke u dridhur nga emocionet, ndonjëherë na emocionon me zërin e tij të bukur. Por gjithmonë troket në derë”, tha Aktas.
“Shkupi ka qenë gjithmonë një nga qendrat ku letërsia ka pasur një zhvillim shumë dinamik”
Kazanci, nga ana e tij, tha se serinë e aktiviteteve, të cilën do ta nisin nga Shkupi, do ta vazhdojnë në Sarajevë, Novi Pazar dhe Prizren. Ai theksoi se Shkupi ka qenë gjithmonë një nga qendrat ku letërsia dhe kultura kanë pasur zhvillim shumë dinamik.
“Kështu ka qenë gjatë gjithë historisë. Ndoshta që me ardhjen e parë të turqve këtu, nisi edhe prodhimtaria kulturore dhe letrare. Shkrimtarë dhe poetë shumë të rëndësishëm të rritur këtu, gjatë periudhës së Perandorisë Osmane, dhanë kontribut të rëndësishëm në kulturën dhe letërsinë turke në shumë qendra të ndryshme, veçanërisht në Stamboll. Ata krijuan qindra vepra”, tha Kazanci.
Duke dhënë gjithashtu informacione për revistën Baglar, Kazanci theksoi se revista, e cila filloi të botohet në vitin 2022, është shndërruar në një platformë në të cilën kontribuojnë shkrimtarë dhe poetë të rinj nga Maqedonia e Veriut, Shkupi dhe mbarë Ballkani, dhe që përmban tërësisht krijimet e tyre.
Programi “Autobusi i Letërsisë në Ballkan” në Shkup do të përfundojë nesër me panele që do të organizohen për tema të ndryshme.
Letërsia turke në Ballkan, trashëgimia e përbashkët kulturore dhe çështjet aktuale të botës së letërsisë do të trajtohen nga rreth 30 shkrimtarë të ardhur nga Türkiye dhe shkrimtarë vendas.
Në kuadër të programit, i cili do të zhvillohet nga 7 deri më 14 nëntor, aktivitete të ndryshme do të organizohen edhe në Sarajevë, Novi Pazar dhe Prizren.
