Tiranë, 9 nëntor, Zhurnal.mk – Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore nga Partia Demokratike, Oerd Bylykbashi, tha sot se Partia Socialiste ka shfaqur mungesë vullneti për të trajtuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.
Gjatë mbledhjes së sotme, Bylykbashi tha se prioriteti i reformës duhet të jetë ndarja e shtetit nga partia dhe garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Ai theksoi se opozita ka gati një paketë propozimesh për kufizimin e përdorimit të burimeve shtetërore në zgjedhje dhe mbrojtjen e votuesve nga presioni i pushtetit.
“Propozimi i opozitës ka qenë fare i qartë: shtrojmë për zgjidhje të gjithë problematikën e ndarjes së shtetit nga partia, që është problemi kryesor, ai që dëmton, që shkatërron fushën e barabartë të lojës dhe shanset e barabarta garë, plus lirinë e zgjedhësve në zgjedhje, nga presioni i shtetit.
“Partia Demokratike dhe opozita ka gati paketën dhe në momentin që ky komision të hyj në binaret e vet të shqyrtimit normal, sipas mekanizmit konsensual që ka, jo si kjo që ka ndodhur sot, neve do të dorëzojmë paketën e ndryshimeve, një pakete të gjerë ndryshimesh që ndajnë shtetin nga partia në procesin zgjedhor. Mbrojmë zgjedhësin nga presioni i shtetit për llogari të partisë në pushtet. Mbrojmë integritetin e zgjedhjeve nga interesi i partisë në pushtet për të grabitur ato zgjedhje. Pa të nuk ka zgjedhje të lira, të barabarta dhe të ndershme”, tha ai.
Një nga kërkesat kryesore të opozitës, sipas Bylykbashit, është ndryshimi i sistemit zgjedhor përmes listave plotësisht të hapura, si për Kuvendin, ashtu edhe për këshillat bashkiakë.
“Proporcionale kombëtare me lista të hapura 100%. Shtojmë edhe një tjetër, i njëjti sistem proporcional në nivel bashkie me lista të hapura, jo me listë të mbyllur siç është sot. Pra lista e hapur 100% edhe për Këshillat Bashkiakë. Për parlamentin dhe për Këshillin Bashkiak”, tha ai.
Bylykbashi kundërshtoi gjithashtu propozimin e mazhorancës për ndryshimet në Kodin Zgjedhor që lidhen me ndarjen e re administrative-territoriale, duke e konsideruar atë si ndryshim të sistemit zgjedhor.
“Ndryshimi që ka bërë PS dhe kërkesa që bën duke e futur në mënyrë të njëanshme në rendin e ditës së komisionit është ndryshimi i sistemit zgjedhor në këshillat bashkiak. Propozimi është që të ndryshohet lista, pra mekanizmi i listës dhe formula e përzgjedhjes së kandidatëve për Këshilltarët Bashkiakë. Është si të themi që Shqipëria nga proporcional kombëtar, sikur ta kishim sot, ta bëjmë proporcional rajonal. Këtë nga proporcional bashkiak ta kthejmë në proporcional rural, me zona. Pra është ndryshim sistemi, i drejtpërdrejtë. Për këtë arsye asnjë ndryshim i njëanshëm duke ndryshuar një ligj tjetër nuk mund t’i imponohet këtij komisioni. Ndarja territoriale është kundërshtuar nga opozita si antikushtetuese, nuk mundet që të kalojë në këtë komision sa kohë që nuk është rekomandim i OSBE-ODIHR”, tha ai.
Sipas tij nuk pengon zgjedhjen e këshillave bashkiakë në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 9 maj.
Ai tha se mazhoranca po përpiqet të konsumojë kohën e komisionit me çështje që, sipas tij, nuk përbëjnë rekomandime prioritare të OSBE/ODIHR-it.
Në përfundim, Bylykbashi kundërshtoi vijimin e mbledhjes me rendin e ditës, teksa vuri veton në emër të opozitës duke e konsideruar mbledhjen të mbyllur.
“Duke qenë se unë e vura veton tani në emër të opozitës për këtë çështje, unë këtë mbledhje e konsideroj të mbyllur dhe vazhdimi i këtij diskutimi më tutje nuk vazhdon derisa komisioni të rikthehet në normalitetin që i përcakton mandati i komisionit parlamentar”, përfundoi Bylykbashi.
