Ambasadorja e BE-së dorëzon në MEPJ raportin 2026, Hoxha: Vlerësimi më gjithëpërfshirës i progresit

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 9 nëntor, Zhurnal.mk – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, priti sot në MEPJ, kreun e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, ambasadoren Sofia Moreira de Sousa, e cila i dorëzoi ministrit një kopje të Raportit të Progresit 2026 për Shqipërinë.

Ministri Hoxha e cilëson këtë raportor si vlerësimin vjetor më gjithëpërfshirës, të detajuar dhe të gjerë mbi progresin e vendit dhe nivelin e përgjithshëm të përgatitjes së tij për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Raporti duhet lexuar si një i tërë. Duhet të mirëpresim progresin thelbësor dhe domethënës të arritur, i cili konfirmon se jemi në rrugën e duhur dhe se Shqipëria është e aftë jo vetëm të marrë angazhime, por edhe t’i përmbushë ato. Në të njëjtën kohë, duhet të jemi plotësisht të vetëdijshëm, realistë dhe të vendosur përballë sfidave që mbeten, duke i adresuar ato përmes proceseve gjithëpërfshirëse, angazhimit konstruktiv dhe dialogut të mirëfilltë”, shkroi Ministri Hoxha në rrjetin social X pas takimit.

Sipas tij, udhërrëfyesi i Komisionit drejt vitit 2027 na jep një drejtim të qartë, pasi për herë të parë, objektivi ynë për përfundimin e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027 është pasqyruar në një dokument të BE-së si një objektiv ambicioz, por i arritshëm.

“Arritja e tij do të kërkojë përpjekje të vazhdueshme, reforma cilësore dhe, mbi të gjitha, zbatim efektiv dhe të qëndrueshëm”, thekson Ministri.

Hoxha nënvizoi se, “Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme mbetet plotësisht e angazhuar për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve të saj institucionale dhe për të luajtur plotësisht rolin që i takon në këtë fazë përfundimtare dhe vendimtare të negociatave”.

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian, shtoi ai, është objektivi dhe projekti ynë më i rëndësishëm kombëtar.

“Është një përpjekje e gjithë shoqërisë, ashtu siç përfitimet e anëtarësimit do t’i përkasin të gjithë shoqërisë. Për ta realizuar këtë projekt, nevojitet kontributi i të gjithëve”, përfundoi Hoxha.

artikuj të ndërlidhura