Shkup, 10 nëntor, Zhurnal.mk – Derisa kryetari i ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, është në mandat të tretë në krye të Komunës së Kumanovës, realiteti në terren flet më shumë se çdo slogan politik. Në shumë pjesë të qytetit mbeturinat janë bërë pjesë e përditshmërisë, ndërsa ura që së fundmi u bë virale në rrjetet sociale u komentua gjerësisht si simbol i një infrastrukture që i ngjan kushteve të mesjetës. Por në vend që energjinë ta përqendrojë te problemet që prekin drejtpërdrejt qytetarët, Dimitrievski duket se e ka zbuluar formulën e re politike. Në kohën kur në qeveri po zhvillohen diskutime për reforma në eshalonin e dytë dhe të tretë të pushtetit, disa deklarata anti-shqiptare mund të shërbejnë si mjet për të fituar vëmendje, për të pozicionuar partinë më mirë në negociata dhe, ndoshta, për të siguruar edhe ndonjë zëvendësministër apo drejtori më shumë, shkruan Zhurnal.
Kumanova mes mbeturinave, urave të degraduara dhe diskriminimit
Pamjet e urës që u bënë virale nuk ishin thjesht një show mediatik. Ato u shndërruan në një metaforë të qeverisjes lokale në Kumanovë. Një qytet që synon zhvillim, investime dhe standarde evropiane nuk mund të prezantohet me infrastrukturë që qytetarëve ua kujton dekada të tëra neglizhence. Përderisa kryetari i komunës merret me debate ideologjike e identitare, qytetarët përballen me sfida konkrete që kërkojnë zgjidhje konkrete.
Për një kryetar komune që synon të paraqitet si faktor i rëndësishëm në nivel shtetëror, do të ishte më e dobishme të shpjegojë pse qyteti i tij po bëhet shembull negativ në rrjetet sociale, sesa të kërkojë tema për polarizim politik.
Një problem tjetër që qytetarët e Kumanovës e hasin vazhdimisht është menaxhimi i dobët i mbeturinave. Pothuajse çdo ditë publikohen fotografi dhe ankesa për deponi të improvizuara, kosha të tejmbushur dhe hapësira publike të lëna pas dore.
Kumanova është një nga komunat më multietnike në vend dhe suksesi i saj matet pikërisht me aftësinë për të garantuar trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët. Megjithatë, diskursi politik i viteve të fundit shpesh ka ngritur dilema nëse ky parim po respektohet plotësisht. Në një qytet ku bashkëjetesa duhet të jetë vlerë dhe avantazh, deklaratat që krijojnë ndarje etnike nuk kontribuojnë në zgjidhjen e problemeve. Përkundrazi, ato prodhojnë mosbesim dhe tensione të panevojshme.
Fjalori anti-shqiptar për të kapur ndonjë resor më shumë
Deklarata e Maksim Dimitrievskit se “sa të jem unë në qeveri, provimi i jurisprudencës nuk do të jepet në gjuhën shqipe” nuk mund të shihet vetëm si qëndrim politik apo juridik. Pasi vjen në një moment kur po zhvillohen bisedime dhe kalkulime politike për pozicionimin e partnerëve qeveritarë, çka e bën të pashmangshme pyetjen nëse kemi të bëjmë me bindje parimore apo me marketing politik.
Reagimi i bashkëkryetarit të VLEN-it, Izet Mexhiti, ishte i drejtpërdrejtë. Ai rikujtoi se Kumanova funksionon në dy gjuhë, se institucionet shtetërore përdorin gjuhën shqipe dhe se retorika e Dimitrievskit bie ndesh me konceptin qytetar që vetë ai promovonte deri dje. Mexhiti e cilësoi këtë qasje si “punë fushate dhe folklor politik”, duke sugjeruar se kemi të bëjmë më shumë me kalkulim elektoral sesa me debate substanciale.
Në politikën e Maqedonisë së Veriut nuk është hera e parë që çështjet etnike përdoren si instrument për të rritur peshën negociuese. Kur partitë e vogla ndihen të rrezikuara ose kërkojnë më shumë hapësirë brenda koalicioneve, shpesh zgjedhin tema që ngjallin emocione të forta. Në këtë kontekst, kundërshtimi i përdorimit të gjuhës shqipe mund të interpretohet si përpjekje për t’u paraqitur si mbrojtës i votuesit nacionalist maqedonas dhe për të fituar kredi politike që më pas mund të shndërrohet në poste, resorë apo ndikim më të madh në qeveri.
Kujtojmë që, qytetarët e Kumanovës nuk jetojnë nga debatet për gjuhën, por nga cilësia e shërbimeve publike, infrastruktura dhe standardi i jetesës. Kur një urë bëhet simbol i prapambetjes, kur mbeturinat mbulojnë hapësirat publike dhe kur problemet reale mbeten pa zgjidhje, atëherë retorika anti-shqiptare duket më shumë si një tentativë për të shpërqendruar vëmendjen sesa për të ofruar zgjidhje. /Zhurnal.mk

