Shkup, 10 nëntor, Zhurnal.mk – Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, mori pjesë në takimin e punës të organizuar në kuadër të programit Falcon, në bashkëpunim me kompaninë globale BAE Systems dhe me mbështetjen e Ambasadës së SHBA-së.
Në takim u prezantuan rezultatet e vlerësimit të realizuar dhe analizave në terren të sistemeve IT të Ministrisë së Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale. Ekspertët e BAE Systems e vlerësuan ekipin IT të Ministrisë si një nga ekipet më të përgatitura me të cilat kanë bashkëpunuar deri më tani, duke theksuar përkushtimin e lartë ndaj sigurisë kibernetike dhe zbatimin e vazhdueshëm të standardeve ndërkombëtare.
Duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes digjitale në energjetikë, në takim u diskutua për krijimin e një Qendre Sektoriale për Operacione të Sigurisë (SOC), si dhe për mundësitë e financimit të saj përmes fondeve evropiane dhe Agjendës Reformuese.
Me krijimin e kësaj qendre, synimi është që institucionet në sektorin energjetik të identifikojnë me kohë kërcënimet kibernetike dhe të reagojnë në mënyrë të koordinuar, duke ruajtur kështu vazhdimësinë e furnizimit me shërbime energjetike për qytetarët dhe ekonominë.
“Mbrojtja e infrastrukturës IT është kyçe për stabilitetin tonë energjetik. Me ndërtimin e kësaj qendre sektoriale dhe me mbështetjen e partnerëve tanë strategjikë, sigurojmë mbrojtje bashkëkohore nga kërcënimet digjitale dhe garantojmë funksionimin e pandërprerë të sistemit energjetik”, theksoi ministrja Bozhinovska.
Në takim u konfirmua edhe një herë partneriteti strategjik dhe përpjekjet e përbashkëta për forcimin e infrastrukturës kritike dhe sigurisë energjetike të vendit, njoftoi Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale.

