Shehu: Raporti i BE-së konfirmon progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Amerikane për Luftimin e Ekstremizmit dhe Terrorizmit (ACCET), Arianit Shehu, vlerëson se Raporti i Progresit i Komisionit Evropian konfirmon avancimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në një shkrim autorial, Shehu thekson se integrimi duhet të mbetet mbi interesat partiake, transmeton KosovaPress.

Shehu konsideron se raporti i publikuar më 4 nëntor 2026 përbën një vlerësim të rëndësishëm institucional për reformat dhe rezultatet e Shqipërisë, duke njohur angazhimin e qeverisë së Edi Ramës dhe administratës shqiptare në procesin e integrimit.

Sipas tij, hapja e të gjithë kapitujve negociues dhe mbyllja provizore e 4 prej tyre dëshmojnë përparimin konkret të vendit, ndërsa objektivi për përfundimin e negociatave deri në fund të vitit 2027 mbetet ambicioz, por i realizueshëm nëse vazhdon ritmi i reformave.

“Progresi i Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian është lajmi i mirë që shqiptarët e kanë pritur prej dekadash. Hapja e të gjithë kapitujve negociues dhe avancimi i procesit të integrimit janë arritje konkrete, për të cilat meritojnë vlerësim qeveria e Edi Ramës, angazhimi i saj politik dhe puna e administratës shqiptare”, shkruan Shehu.

Ai thekson se raporti i Komisionit Evropian përbën një përgjigje institucionale ndaj përpjekjeve për destabilizimin e Shqipërisë, duke paralajmëruar se dhuna mund të ndikojë negativisht në imazhin ndërkombëtar, investimet dhe turizmin.

“Raporti i Komisionit Evropian përbën një përgjigje të fuqishme institucionale ndaj sulmeve të dhunshme dhe përpjekjeve të koordinuara për destabilizimin e Shqipërisë. Këto veprime rrezikojnë t’u shërbejnë interesave armiqësore që synojnë një Shqipëri të përçarë, me institucione të dobësuara dhe me perspektivë evropiane të cenuar”, shprehet ai.

Megjithatë, Shehu nënvizon se përgjegjësia për organizimin e veprimeve të tilla kërkon prova, ndërsa institucionet duhet t’u përgjigjen sfidave përmes forcimit të demokracisë dhe unitetit kombëtar.

Në analizën e tij, ai vlerëson se raporti i Brukselit nuk është dokument politik në mbështetje të qeverisë apo opozitës, por instrument për matjen e përmbushjes së standardeve evropiane.

Shehu thekson se gjetjet pozitive nuk duhet të shpërfillen për shkak të përplasjeve të brendshme politike, por njëkohësisht kërkon trajtimin serioz të vërejtjeve për korrupsionin, polarizimin dhe forcimin e institucioneve.

Duke iu referuar zhvillimeve politike në Shqipëri, ai bën dallimin ndërmjet protestës paqësore si e drejtë demokratike dhe veprimeve të dhunshme ndaj institucioneve.

“Protesta paqësore është një e drejtë themelore demokratike, por sulmet ndaj institucioneve, shkatërrimi i pronës dhe aktet e dhunshme nuk mund të konsiderohen alternativa legjitime ndaj dialogut demokratik”, thekson Shehu.

Sipas tij, raporti nuk e delegjitimon opozitën dhe as protestën qytetare, por ofron një bazë objektive për debat politik të mbështetur në fakte, përgjegjësi institucionale dhe respektim të rendit demokratik.

Në përfundim, Shehu kërkon që integrimi evropian të trajtohet si interes strategjik kombëtar, përtej dallimeve politike.

“E ardhmja evropiane e Shqipërisë nuk do të përcaktohet nga dhuna por nga cilësia e reformave, qëndrueshmëria e institucioneve dhe rezultatet konkrete. Në momente vendimtare për të ardhmen e kombit, interesi i Shqipërisë duhet të qëndrojë mbi çdo interes partiak, personal apo politik”, përfundon Shehu.

artikuj të ndërlidhura