Ministri Nufi, në Forumin për të Ardhmen e Atlantikut të Veriut në Oslo: Shqipëria, aktive në forcimin e bashkëpunimit brenda NATO-s

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi mori pjesë në Forumin për të ardhmen e Atlantikut të Veriut 2026, që zhvillohet në Oslo të Norvegjisë.

Ky forum organizohet nga qeveritë e Mbretërisë së Bashkuar dhe asaj norvegjeze, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të nivelit të lartë politik, ushtarak dhe të industrisë së mbrojtjes nga vendet aleate.

Nga bordi i aeroplanmbajtëses britanike HMS Prince of Wales, Ministri Nufi theksoi rëndësinë e këtij takimi për forcimin e bashkëpunimit mes aleatëve, veçanërisht në drejtim të pikave strategjike dhe urave të komunikimit mes aktorëve të Aleancës në të dy anët e Atlantikut.

Gjatë këtij Forumi, Ministri Nufi është takuar me homologun e tij norvegjez Tore O. Sandvik dhe Nënsekretarin Parlamentar të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar Lord Wood of Anfield.

Në fokus kanë qenë sfidat e sigurisë euroatlantike dhe domosdoshmëria që NATO të ruajë vëmendjen në të gjitha drejtimet strategjike.

Përgjatë takimeve, Ministri Nufi ka theksuar se siguria e Europës nuk përfundon në Veriun e Largët. “Ballkani Perëndimor dhe veçanërisht Kosova duhet të mbeten në vëmendjen e Aleancës.”, është shprehur ai.

Ndër të tjera, Ministri Nufi ka cilësuar se: “Integrimi i Kosovës në NATO është, sipas nesh, një domosdoshmëri strategjike për forcimin e stabilitetit rajonal, parandalimin e konflikteve dhe shmangien e rrezikut të hapjes së fronteve të reja të pasigurisë në Europë. Sepse siguria euroatlantike është e pandashme. Dhe një NATO më e fortë në Ballkan do të thotë një Europë më e sigurt”.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë forum riafirmon angazhimin për të qenë një aleate aktive dhe kontribuuese në diskutimet strategjike të NATO-s si dhe për të zgjeruar bashkëpunimin me partnerët në funksion të sigurisë dhe mbrojtjes kolektive.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër