PD nis procesin për përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet vendore, propozimet deri më 30 nëntor

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 12 nëntor, Zhurnal.mk – Partia Demokratike ka nisur zyrtarisht procesin për përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha dhe Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka, kanë firmosur udhëzimin që përcakton kriteret dhe procedurat për propozimin e kandidatëve për kryetarë bashkish.

Procesi do të zhvillohet në të gjitha degët e PD-së dhe do të përfshijë jo vetëm anëtarësinë dhe strukturat e partisë, por edhe mbështetësit, simpatizantët, shoqërinë civile, akademikët, profesionistët dhe komunitetet lokale.

Sipas udhëzimit, kandidatët duhet të kenë integritet të lartë moral e profesional, reputacion të pacenuar, arsim të lartë dhe angazhim të dëshmuar në jetën publike, si dhe kontribute në PD ose në kauza qytetare.

Vlerësimi i kandidaturave do të kryhet nga një Komision i Seleksionimit me pesë anëtarë, i cili do t’i rekomandojë Kryesisë së PD-së emrat që plotësojnë kriteret. Ndërkohë, deputetët e PD-së dhe kryetarët aktualë të bashkive konsiderohen automatikisht të kualifikuar për fazat e mëtejshme.

Kandidatët mund të propozohen nga strukturat ose të vetëpropozohen, ndërsa dokumentacioni duhet të dorëzohet pranë sekretariatit përkatës të PD-së.

Afati përfundimtar për mbledhjen e propozimeve është 30 nëntori 2026.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër