Veliçkovski: Pagesat e menjëhershme janë hapi i ardhshëm në modernizimin dhe ndërlidhjen rajonale të sistemit të pagesave

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 13 nëntor, Zhurnal.mk – Zëvendësguvernatori i Bankës Popullore, Igor Veliçkovski, në fjalimin e tij në Konferencën e 8-të Ndërkombëtare të skemave rajonale të kartelave dhe infrastrukturave për tregun financiar dhe pagesat me pakicë, e cila u mbajt në Tiranë, theksoi se modernizimi i infrastrukturës së pagesave, vendosja e pagesave të menjëhershme dhe ndërlidhja me sistemet rajonale dhe evropiane të pagesave janë prioritetet tona për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit vendor të pagesave.

Veliçkovski, përmes një video-fjalimi, ishte folës në panel-diskutimin me titull „Pagesat e menjëhershme në Ballkanin Perëndimor“, me ç’rast deklaroi se, pas anëtarësimit të vendit tonë në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), vendosja e sistemit kombëtar të pagesave të menjëhershme, i bazuar në klonin e TIPS-it, është hapi tjetër i rëndësishëm, i cili do të mundësojë pagesa në kohë reale, 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, dhe do të krijojë bazë për zhvillimin e shërbimeve të reja digjitale dhe ndërlidhje më të madhe rajonale.

Veliçkovski theksoi se kloni i TIPS-it është vazhdimësi e natyrshme e reformave të nisura në fushën e pagesave dhe një mundësi që përfitimet nga modernizimi të zgjerohen edhe në fushën e pagesave të menjëhershme. Ndërsa SEPA vendos rregulla dhe standarde të përbashkëta për pagesat ndërkufitare në euro, kloni i TIPS-it do të sigurojë bazën teknologjike për shlyerjen e pagesave në kohë reale, me disponueshmëri të vazhdueshme.

Përfitimet nga infrastruktura e re nuk do të kufizohen vetëm në transaksione më të shpejta. Ajo do të krijojë kushte për zhvillimin e shërbimeve shtesë digjitale, siç janë pagesat e iniciuara përmes përdorimit të numrit të telefonit celular ose adresës elektronike, kërkesa për pagesë, verifikimi i pranuesit dhe pagesat e ndërveprueshme me kodin e përgjigjes së shpejtë, të ashtuquajturin kod QR.

„Me këtë do të nxitet përdorimi më i gjerë i pagesave digjitale, veçanërisht te tregtarët dhe kompanitë e vogla, do të mbështetet digjitalizimi i sektorit publik dhe privat dhe do të kontribuohet në uljen e përdorimit të parasë së gatshme“, tha Veliçkovski.

Duke folur për perspektivën rajonale, zëvendësguvernatori theksoi se një nga mundësitë më të mëdha që ofron kloni i TIPS-it është ndërlidhja e sistemeve kombëtare për pagesa të menjëhershme në pesë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, si dhe ndërveprueshmëria e tyre e ardhshme me infrastrukturën evropiane të pagesave.

Në vend të zhvillimit të zgjidhjeve të izoluara kombëtare, është e nevojshme të ndërtohet një sistem rajonal i ndërlidhur, i cili do të mundësojë pagesa efikase ndërkufitare në kohë reale dhe disponueshmëri të shërbimeve të reja digjitale.

Si prioritete të ardhshme në planin për modernizimin e sistemit të pagesave, Veliçkovski veçoi zhvillimin e shërbimeve shtesë të ndërtuara mbi infrastrukturën për pagesa të menjëhershme dhe ndërlidhjen rajonale.

Qëllimi përfundimtar është kalimi nga pagesat standarde në pagesa të menjëhershme në denarë dhe euro, si dhe integrimi i sistemit vendor të pagesave në një ekosistem të ndërlidhur rajonal dhe evropian të pagesave.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër