Shkup, 13 nëntor, Zhurnal.mk – Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se Qeveria i ka dërguar në Bruksel propozim-ndryshimet e Kodit Penal dhe të Ligjit për Procedurën Penale, duke theksuar se zgjidhjet e reja ligjore do të zbatohen vetëm për rastet e ardhshme dhe nuk do të kenë fuqi prapavepruese.
Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari, Mickoski akuzoi qeverinë e mëparshme të LSDM-së dhe BDI-së se, me ndryshimet ligjore të miratuara me procedurë të shkurtuar dhe me flamur evropian, kishte krijuar kushte për shmangien e përgjegjësisë për veprat penale të kryera.
Sipas tij, personat për të cilët ekzistojnë dyshime për kriminalitet gjatë periudhës së pushtetit të mëparshëm, edhe më tej do të mund të thirren në ligjin më të favorshëm, përkatësisht në ndryshimet që u miratuan në kohën e LSDM-së dhe BDI-së.
„Këto ndryshime që po i miratojmë tani vlejnë nga ky moment e tutje. Dhe nuk do të kenë fuqi prapavepruese“, deklaroi Mickoski.
Ai shtoi se ndryshimet e propozuara ligjore do të vlejnë për qeverinë aktuale dhe për të gjitha qeveritë e ardhshme, përveç nëse ndryshohen sërish, duke vlerësuar se zgjidhjet e mëparshme ligjore kanë ndikuar negativisht në sundimin e ligjit dhe luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit.

