Shkup, 13 nëntor, Zhurnal.mk – Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, prof. dr. Vesna Janevska, realizoi një vizitë pune në Japoni me qëllim forcimin e lidhjeve arsimore dhe shkencore ndërmjet dy vendeve, gjatë së cilës zhvilloi takime me përfaqësues të rëndësishëm qeveritarë dhe akademikë.
Në takimin me ministrin japonez të Arsimit, Kulturës, Sportit, Shkencës dhe Teknologjisë, Yoshihiro Seki, u diskutua për përvojat e ndërsjella në sistemet arsimore, me ç’rast ministrja kërkoi mbështetje për themelimin e qendrave të ekselencës në vendin tonë.
„Japonia është një partnere strategjike shumëvjeçare e vendit tonë dhe ju falënderoj për mbështetjen e deritanishme, si dhe për mundësitë që ua mundësoni studentëve maqedonas, përmes sistemit të bursave, për t’u arsimuar në universitete prestigjioze japoneze. Me rëndësi të veçantë për ne është edhe mbështetja që marrim në procesin e modernizimit teknik dhe pajisjes së shkollave. Besoj se një pjesë e ideve për të cilat diskutuam sot së shpejti do të shndërrohen në projekte dhe aktivitete konkrete“, theksoi Janevska në takimin në Ministrinë japoneze të Arsimit.
Në fokus të vizitës në Institutin Kombëtar për Politika Arsimore ishin përvojat në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe përgatitjen e nxënësve për testimet ndërkombëtare PISA.
Për mundësi të reja të partneritetit ekonomik dhe shkencor u diskutua edhe me zëvendësministren e Punëve të Jashtme, Ikuina Akiko, me ç’rast u theksua roli i organizatave JETRO dhe JICA.
Agjenda përfshiu edhe vizitën në Universitetin e Tokios, ku u shqyrtuan mundësitë për pjesëmarrje të përbashkët në programet evropiane të kërkimit shkencor dhe shkëmbimin e studentëve.
Vizita përfundoi me takime në Ambasadën e Maqedonisë, me ish-ambasadorin Kazuya Otsuka, studentë nga vendi ynë dhe nxënës të shkollave të mesme japoneze që mësojnë gjuhën maqedonase.

