Milan Radoiçiq, organizatori i sulmit terrorist në Banjskë, dyshohet se ka ikur nga Serbia dhe se ndodhet në Rusi. Këtë e kanë raportuar sot disa media serbe, mes tyre N1, Nova.rs, Danas, Vreme dhe KoSSev.
Burimi është Milan Zvezdanoviq, ish-inspektor i pavarur i Agjencisë serbe të Sigurisë dhe Informacionit (BIA). Ai tha në N1 se ka informacione jozyrtare nga brenda BIA-s që Radoiçiqi ka lëshuar territorin e Serbisë dhe ka shkuar në Rusi. Pyetjes nëse është larguar me leje apo ilegalisht, Zvezdanoviqi iu përgjigj se në pushtet është ende Partia Përparimtare Serbe (SNS): “Atij nuk i është dashur leje”. Sipas tij, largimi i Radoiçiqit ka shqetësuar edhe një pjesë të udhëheqjes së BIA-s, që kishte skema biznesi dhe kriminale me të.
Me vendim gjykate, Radoiçiqit i është marrë pasaporta. Ai nuk ka të drejtë të largohet nga Serbia apo të shkojë në Kosovë pa leje të gjykatës, dhe duhet të paraqitet në polici më 1 dhe më 15 të çdo muaji.
Gjykata e Lartë në Beograd i konfirmoi sot N1-it se këto masa janë ende në fuqi. Masa është zgjatur për herë të fundit më 30 shtator dhe rishqyrtohet çdo tre muaj. Sipas policisë në Savski Venac, Radoiçiqi është paraqitur për herë të fundit më 1 nëntor. Gjykata nuk u përgjigj nëse ai ka kërkuar leje për t’u larguar. Data e radhës kur duhet të paraqitet është 15 nëntori, dhe atëherë do të shihet nëse është ende në Serbi.
Lajmi vjen pasi më 11 nëntor rrjeti investigativ KRIK raportoi se edhe Zvonko Veselinoviq, partneri i tij i afërt në biznes, ka udhëtuar nga Sarajeva për në Stamboll. Disa media në Kosovë kishin shkruar më herët se të dy ishin larguar drejt Moskës, në kohën kur u arrestua pronari i Alta Bankës, Davor Macura.
Radoiçiqi ka marrë publikisht përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku. Kosova e ka aktakuzuar për terrorizëm, bashkë me 44 persona të tjerë. Në Serbi, ai nuk akuzohet për terrorizëm. Prokuroria e Beogradit e heton vetëm për furnizim me armë, municion dhe eksploziv nga Tuzla dhe për transportimin e tyre në Kosovë, vepër që dënohet nga 2 deri në 12 vjet burg. Edhe ky rast, pas më shumë se tre vjetësh, është ende në fazë hetimi.
Vetëm në fund të tetorit, një komision i Prokurorisë Supreme të Serbisë nisi të shqyrtojë pse Radoiçiqit nuk iu caktua paraburgim pas Banjskës.
Deri tani, as autoritetet serbe e as ato ruse nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht vendndodhjen e tij.

