Rubio kritikon GJPN dhe OKB: E drejta ndërkombëtare po përdoret si instrument kundër administratës Trump

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, kritikoi ashpër Gjykatën Ndërkombëtare Penal, GJPN, dhe OKB-në në një fjalim para juristëve dhe studentëve të drejtësisë, duke marrë duartrokitje të forta nga publiku.

Duke iu drejtuar Konventës Kombëtare të Avokatëve të Shoqërisë Federaliste, një grup i vetëshpallur konservator, Rubio tha se Departamenti i Shtetit kishte dëgjuar të përdoret e drejta ndërkombëtare kundër “pothuajse çdo vendimi ose veprimi të madh të politikës së jashtme” të administratës Trump.

Ai përmendi urdhrin e Presidentit Donald Trump që ushtria të fundosë anijet e kartelit në Karaibe, duke thënë se Uashingtoni ishte akuzuar për shkelje të ligjit ndërkombëtar me sulmet.

Rubio tha se kryeprokurori themelues i asaj që ai e quajti “Gjykata Ndërkombëtare Penale e rreme dhe e paligjshme” madje kishte akuzuar SHBA-në për krime kundër njerëzimit.

Ai tha se akuza të ngjashme erdhën nga OKB-ja kur forcat amerikane kapën presidentin venezuelian Nicolas Maduro këtë janar dhe e sollën atë në SHBA për t’u përballur me akuza penale federale.

“Për këtë elitë globale, e drejta ndërkombëtare nuk është një grup rregullash neutrale”, tha Rubio.

“E drejta ndërkombëtare është një instrument, një instrument për të çuar përpara interesat e tyre nën pretekstin e parimeve universale”, shtoi ai.

Rubio mbrojti “vendimin e paprecedentë të Trump për të sanksionuar Gjykatën e rreme Ndërkombëtare Penale”, duke e përshkruar atë si një “tribunal botëror të pazgjedhur” që pretendon autoritet mbi shtetet sovrane, përfshirë ato që nuk e kanë pranuar kurrë juridiksionin e saj.

“Amerikanët nuk kanë rënë kurrë dakord t’i nënshtrohen autoritetit të GJPN-së, por ajo gjykatë dhe aleatët e saj në burokracinë globale e kanë emëruar veten gjyqtar, juri dhe ekzekutor të rendit ndërkombëtar”, tha ai.

“Ata mendojnë se kanë të drejtë të sundojnë mbi të gjithë, por nuk i japin llogari askujt”, shtoi Rubio.

Diplomati më i lartë amerikan bëri gjithashtu paralele me sistemin gjyqësor të SHBA-së, duke akuzuar “gjykatat aktiviste” se kërkojnë të “qeverisin me anë të urdhrave gjyqësorë”.

Ai argumentoi se kritikët e administratës e shihnin “qëllimin themelor të ligjit, si të ligjit amerikan ashtu edhe të ligjit ndërkombëtar”, si dobësim të Shteteve të Bashkuara.

Rubio i hodhi poshtë këto argumente si të pabaza në historinë amerikane.

“Nuk ka asgjë, nuk ka asgjë në historinë tonë, apo në historinë e ndonjë kombi tjetër të madh, që na kërkon të njohim autoritetin ose legjitimitetin e ndonjërës prej këtyre ideve qesharake”, tha ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër