Një kontroll i befasishëm është zhvilluar të premten në burgun e Shkodrës, ku është konstatuar një aparat celular i markës iPhone në ambientet e përbashkëta të burgut.
Lajmi është bërë i ditur nga Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (AMSEVP), sipas së cilës kontrolli është ushtruar më 13 nëntor 2026, në bashkëpunim me grupin e sigurisë së institucionit.
Gjatë verifikimeve për evidentimin e sendeve të ndaluara, është zbuluar telefoni celular, ndërsa aktualisht po kryhen veprimet e para procedurale për dokumentimin e rastit.
Në përfundim të këtyre veprimeve, materialet do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale”, e parashikuar nga neni 324/a i Kodit Penal.
Në njoftimin e saj, AMSEVP u ka bërë thirrje qytetarëve dhe mediave që të denoncojnë çdo rast abuzimi apo shkeljeje të detyrës nga punonjësit e strukturave përkatëse.

