Tiranë, 13 nëntor Zhurnal.mk – Enida Bozhegu ka ngritur shqetësimin për mënyrën se si po trajtohet territori shqiptar dhe ndikimin që, sipas saj, kanë interesat personale në vendimmarrjen për pasuritë natyrore dhe zonat e mbrojtura.
E ftuar në emisionin “Black Box” në Ora News, Bozhegu u shpreh se Bashkimi Europian nuk mund të pranojë anëtarësimin e një vendi që shkatërron natyrën dhe nuk respekton rregullat. Sipas saj, vlerësimi i BE-së nuk përcaktohet vetëm nga deklaratat politike, por nga standardet teknike dhe rezultatet konkrete që një vend arrin të përmbushë.
Duke u ndalur te zhvillimet e fundit dhe çështja e flamingove, ajo e cilësoi mënyrën e ndarjes së territorit si një pasqyrë të interesave, ambicieve dhe dëshirave personale, duke pretenduar se pasuritë e vendit po trajtohen si pjesë që ndahen mes aktorëve të ndryshëm.
Bozhegu e krahasoi këtë proces me një formë moderne kolonizimi, ku territori përvetësohet gradualisht përmes interesave të ndryshme dhe marrëveshjeve me investitorë të huaj.
“Është një formë moderne e kolonizimit. Kështu vjen dalëngadalë kolonizimi i një vendi, deri në copëtimin e tij dhe secili merr thelat e veta”, u shpreh Bozhegu në “Black Box”.

