Aksident mes tre automjeteve në Prishtinë, katër persona të lënduar

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Një aksident i rëndë është regjistruar mesditën e sotme në autostradën “Dr. Ibrahim Rugova”, në segmentin Suharekë–Prishtinë, ku janë përfshirë tri automjete. Si pasojë e përplasjes, katër persona kanë mbetur të lënduar.

Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili bëri të ditur se aksidenti është raportuar rreth orës 14:00, në kilometrin e 40-të të autostradës, në zonën e Duhlës së Suharekës.

Sipas Hoxhës, ekipet përkatëse kanë dalë në vendngjarje, ndërsa Njësia për Kontrollin e Autostradave është duke u marrë me rastin dhe po heton shkaqet që çuan në aksident.

Sa i përket gjendjes shëndetësore të të lënduarve, zëdhënësi i Policisë tha se për shkallën e lëndimeve duhet të kontaktohen shërbimet shëndetësore.

Në reagimin e tij, Hoxha u bëri thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar në trafik, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet e qarkullimit.

Ai paralajmëroi gjithashtu se Policia e Kosovës do të vijojë kontrollet në terren dhe do të marrë masa ndaj të gjithë atyre që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër