Çfarë po paralajmëron Kostadinovski për rastet e Hagës dhe Ligjin e gjuhëve?

Nga I.A
A+ A-
Rivendos

Shkup, 16 nëntor, Zhurnal.mk – Deklarata e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, se vendimmarrja për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe për katër rastet e Hagës do të shtyhet deri në kompletimin e përbërjes së gjykatës, në shikim të parë duket si një qëndrim procedural dhe juridik. Megjithatë, mesazhi që ai dërgon është shumë më i thellë. Ai pranon publikisht se bëhet fjalë për çështje që prekin drejtpërdrejt marrëdhëniet ndëretnike, stabilitetin politik dhe vetë themelet mbi të cilat është ndërtuar rendi pas Marrëveshjes së Ohrit, shkruan Zhurnal.

Çfarë sinjale po dërgon Kostadinovski?

Fakti që Gjykata Kushtetuese ka vendosur të mos shqyrtojë lëndët me interes të gjerë publik pa përbërje të plotë tregon se gjyqtarët janë të vetëdijshëm për peshën e vendimeve që mund të sjellin. Në vend që të nxitojnë drejt një epilogu juridik, ata po kërkojnë një legjitimitet maksimal institucional për vendime që potencialisht mund të ndikojnë në klimën politike dhe shoqërore të vendit.

Kostadinovski në thelb po paralajmëron se vendimet për këto lëndë nuk do të interpretohen vetëm si akte juridike. Ato do të lexohen nga qytetarët, partitë politike dhe komunitetet etnike si mesazhe politike për të kaluarën dhe të ardhmen e shtetit. Pikërisht për këtë arsye gjykata po tenton të shmangë çdo dyshim se vendimet janë marrë nga një përbërje jo e plotë apo me legjitimitet të cunguar.

Në të njëjtën kohë, deklarata e tij zbulon edhe një problem tjetër institucional. Kur ai nuk e përjashton mundësinë që vonesa në zgjedhjen e gjyqtarit të nëntë të jetë e qëllimshme për të shtyrë vendimmarrjen, ai praktikisht lë të kuptohet se proceset politike mund të ndikojnë indirekt në funksionimin e institucioneve kushtetuese. Ky është një sinjal shqetësues për një shtet që aspiron të forcojë sundimin e ligjit dhe pavarësinë e institucioneve.

Ligji i gjuhëve dhe rastet e Hagës si nyje të hapura shtetërore

“Shpresoj që sa më shpejtë të kompletohet Gjykata Kushtetuese dhe e kam treguar konkluzën e Gjykatës. Gjykata jonë ka miratuar konkluzë që lëndët e ashtuquajtura të ndjeshme, gjegjësisht lëndët që kanë interes shumë të gjerë publik, siç është Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, Rastet e Hagës dhe lëndë të tjera, do të vendoset vetëm kur përbërja e Gjykatës Kushtetuese, deri atëherë nuk është në rregull, pasi janë lëndë shumë të rëndësishme që mund të krijojnë tensione, siç e shihni dhe krijojnë tensione në shoqëri”, tha Kostadinovski.

I pyetur nëse zvarritja e zgjedhjes së gjyqtarit të fundit është e qëllimshme me qëllim që të zvarritet vendimmarrja, Kostadinovski nuk e përjashton mundësinë.

“Është e mundshme që edhe të jetë edhe ajo të jetë arsyeja. Nuk mund të them”, shtoi Kostadinovski.

Lënda për Ligjin e Gjuhëve është më e vjetra në Gjykatën Kushtetuese dhe prej vitesh përfaqëson një nga debatet më të ndjeshme në vend. Çdo ndërhyrje në këtë ligj shihet nga shqiptarët si ndërhyrje në një prej arritjeve më të rëndësishme të periudhës pas Marrëveshjes së Ohrit. Për këtë arsye, vendimi eventual i Gjykatës do të ketë jo vetëm efekt juridik, por edhe simbolik e politik.

Po aq e ndjeshme është edhe iniciativa që prek katër rastet e Hagës. Këto raste nuk trajtohen në opinion vetëm si dosje juridike, por si pjesë e narrativës së konfliktit të vitit 2001. Çdo tentativë për rihapjen ose mbylljen përfundimtare të tyre pritet të prodhojë reagime të forta politike, veçanërisht mes shqiptarëve që e konsiderojnë çështjen të mbyllur përmes procesit të amnistisë dhe interpretimit autentik të vitit 2011.

Çfarë pasojash mund të sjellin?

Në kuptimin e asaj që prekja e këtyre çështjeve prek drejtpërdrejt edhe stabilitetin e vendit, pasojat mund të jenë shumëdimensionale. Debati për Ligjin e Gjuhëve mund të rikthejë polarizimet etnike dhe politike që për vite me radhë janë mbajtur nën kontroll përmes kompromisit politik dhe kornizës së Marrëveshjes së Ohrit.

Po ashtu, çdo vendim që do të prekte interpretimin autentik të Ligjit për Amnisti do të rihapte plagë të vjetra të konfliktit të vitit 2001. Në vend që debati të mbetet brenda sallave të gjykatës, ai mund të transferohet në skenën politike dhe në rrugë, duke krijuar tensione që institucionet mund ta kishin të vështirë t’i menaxhonin.

Kujtojmë që, rreziku më i madh nuk qëndron vetëm te vetë vendimet, por te perceptimi që mund të krijohet në opinion. Në një shoqëri ende të ndjeshme ndaj çështjeve identitare, çdo vendim që interpretohet si cenim i të drejtave kolektive ose si rishkrim i marrëveshjeve politike të së kaluarës mund të prodhojë pasoja që shkojnë përtej kornizës juridike. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër