Gjysma e qytetarëve paguajnë me para në dorë kur blejnë online, vetëm 12.7% përdorin pagesa digjitale

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 16 nëntor Zhurnal.mk – Edhe pse blerjet përmes internetit po bëhen gjithnjë e më të pranishme në përditshmërinë e qytetarëve, kur vjen momenti i pagesës, paraja e gatshme vazhdon të jetë zgjedhja e parë për gjysmën e tyre. Plot 50 për qind e blerësve online paguajnë ekskluzivisht me para në dorë gjatë dorëzimit të porosisë, ndërsa vetëm çdo i teti përdor plotësisht pagesat digjitale. Këto janë të dhënat e analizës më të fundit mbi zakonet e pagesave në tregtinë elektronike në vend, e cila evidenton një hendek të konsiderueshëm mes qasjes në shërbimet bankare dhe përdorimit të tyre në praktikë.

Edhe pse 84.3 për qind e popullsisë së rritur kanë llogari në një institucion financiar, ndërsa 75.2 për qind posedojnë kartelë debiti, pagesat digjitale vazhdojnë të mbeten prapa. Vetëm 27.4 për qind kanë përdorur telefonin mobil ose internetin për të paguar fatura, ndërsa 28 për qind për të blerë produkte dhe shërbime. Për krahasim, në ekonomitë me të ardhura mesatare të larta, këto përqindje tejkalojnë 60 për qind.

Analiza më e detajuar, e realizuar me 263 persona që kanë blerë produkte fizike përmes internetit, tregon se 50 për qind paguajnë ekskluzivisht me para në dorë gjatë dorëzimit, 37.2 për qind kombinojnë pagesat me para në dorë dhe ato online, ndërsa vetëm 12.7 për qind paguajnë ekskluzivisht në mënyrë digjitale. Kjo do të thotë se plot 87.3 për qind përdorin para të gatshme të paktën në disa raste.

Mosha është një nga faktorët më të rëndësishëm që ndikon në zgjedhjen e mënyrës së pagesës. Te blerësit online të moshës 15 deri në 34 vjeç, 40.3 për qind paguajnë ekskluzivisht me para në dorë. Te grupmosha 35 deri në 54 vjeç kjo përqindje arrin në 49.4 për qind, ndërsa te personat mbi 55 vjeç shkon deri në 81.8 për qind.

Dallime vërehen edhe në bazë të vendbanimit dhe të ardhurave. Në zonat rurale, 60 për qind e blerësve online paguajnë ekskluzivisht me para në dorë gjatë dorëzimit, krahasuar me 41.4 për qind në zonat urbane. Te qytetarët me të ardhura më të ulëta, kjo përqindje arrin në 66.5 për qind, ndërsa te ata me të ardhura më të larta është 43.2 për qind. Ndërkaq, gjinia pothuajse nuk ndikon në zgjedhjen e mënyrës së pagesës.

Të dhënat tregojnë se problemi nuk qëndron te mungesa e llogarive bankare dhe kartelave të pagesës, por te besimi dhe zakonet e konsumatorëve. Qytetarët janë të gatshëm të blejnë përmes internetit, por vazhdojnë të preferojnë të paguajnë vetëm pasi produkti të mbërrijë në adresën e tyre.

Për rritjen e përdorimit të pagesave digjitale nevojitet më shumë besim në transaksionet online, edukim i konsumatorëve, përvojë më e thjeshtë gjatë pagesës dhe stimuj për përdorimin e metodave pa para të gatshme.

Qëllimi nuk është eliminimi i pagesës gjatë dorëzimit, por krijimi i kushteve që pagesat digjitale të bëhen një alternativë më e sigurt, më praktike dhe më tërheqëse.

Sepse digjitalizimi i vërtetë i tregtisë nuk përfundon me porosinë përmes internetit, por atëherë kur edhe pagesa bëhet digjitale.

https://www.vecer.press/keshot-czaruva-pri-onlajn-kupuvaneto-polovina-od-graganite-plakaat-pri-dostava/

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër