Kushi: Tjetërsim i identitetit me video të manipuluar, kallëzim penal pranë organeve kompetente

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 17 nëntor, Zhurnal.mk – Sekretarja e Gruas në Partinë Socialiste, Evis Kushi reagoi sot lidhur me një video që po qarkullon në mediat sociale, duke sqaruar se nuk është personi që shfaqet në këtë video dhe nuk ka asnjë lidhje me këtë përmbajtje.

“Në rrjetet sociale po qarkullon një video, në të cilën pretendohet se personi që shfaqet jam unë. Dua ta bëj të qartë se kjo nuk është e vërtetë. Personi në video nuk jam unë dhe nuk kam asnjë lidhje me këtë përmbajtje”, u shpreh Kushi.

Kushi theksoi se është e papranueshme që, përmes manipulimit dhe keqpërdorimit të teknologjisë, të tentohet të tjetërsohet identiteti i një personi dhe të cenohet dinjiteti dhe reputacioni i tij.

Për këtë arsye, Kushi u shpreh se ka paraqitur një kallëzim pranë organeve kompetente, duke kërkuar hetimin e plotë të rastit, identifikimin e personave përgjegjës dhe marrjen e masave për heqjen e menjëhershme të videos nga platformat ku është publikuar.

“Kjo nuk është thjesht një çështje personale. Është një çështje që lidhet me respektimin e dinjitetit njerëzor, mbrojtjen e identitetit dhe përgjegjësinë që secili duhet të mbajë për atë që krijon, publikon apo shpërndan në hapësirën digjitale”, shtoi ajo.

artikuj të ndërlidhura